Universiteti i Tetovës dhe Klinika Universitare për Kardiologji në Shkup kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Drejtorët e Klinikës Universitare për Kardiologji në Shkup, Bekim Pocesta dhe Abdusamed Shabani, parashihet që mes dy institucioneve ketë shkëmbim të ndërsjellë të përvojave dhe njohurive profesionale në fushën e shkencave të mjekësisë. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet organizimit të këshillave të përbashkëta profesionale, seminareve e të tjera, në emër të zbatimit praktik të të arriturave
më bashkëkohore në fushën e shkencave të mjekësisë, përfshirë shfrytëzimin e përvojave profesionale, aftësive dhe njohurive të kuadrit mjekësor të ISHP “Klinika Universitare për Kardiologji” – Shkup, nga ana e studentëve dhe specializantëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës.
Në të ardhmen, dy institucionet do të japin kontributin e tyre në arsimimin e vazhdueshëm të studentëve, duke propozuar dhe organizuar forma të ndryshme të arsimit formal dhe joformal, bashkërisht do të bëjnë dhënien e ofertave për shërbime të konsulencave, do të organizojnë konferenca të përbashkëta dhe punëtori, shkëmbimin e botimeve, publikimin e botimeve të përbashkëta, revistave, librave, e të tjera.
ISHP “Klinika Universitare për Kardiologji” – Shkup dakordohet dhe merr për obligim të sigurojë kushte për shfrytëzimin papengueshëm të hapësirave të veta, ndërsa Universiteti i Tetovës obligohet t’i menaxhojë në mënyrë të arsyeshme hapësirat në shfrytëzim dhe të kujdeset për mirëmbajtjen e tyre.