UT dhe Shoqatat “Qyteti i Bletëve” dhe “Mjalti i Pollogut” organizuan gara ndërkombëtare për kualitet të mjaltit

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Shoqatat “Qyteti i Bletëve” dhe “Mjalti i Pollogut”, organizuan garat e II-ta ndërkombëtare për kualitet të mjaltit “Tetovo Honey Awards”.

Marketing

Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi theksoi se organizimet e këtilla janë të mirëpritura nga universiteti ynë pasi i shërbejnë kauzës arsimore- shkencore. “Bashkë me shoqatën “Qyteti i Bletëve” është viti i dytë që i organizojmë këto gara. Ne si fakultet do ta bëjmë pjesën më të madhe të punës nëpërmjet laboratorit ose analizave laboratorike, ku do t’i përcaktojmë të gjitha vlerat ushqyese që i ka mjalti. Në emrin tim, të Rektoratit dhe Rektorit të Universitetit, unë i garantoj Dritanit – kryetarit të Shoqatës “Qyteti i Bletëve” se gjithë këto aktivitete si fakultet do t’i përkrahim  gjithmonë dhe do të jenë të mirëseardhura, edhe pse është një punë shumë e kushtueshme dhe voluminoze, ne jemi gati si në aspektin laboratorik ashtu edhe të njerëzve që ta përkrahim”, deklaroi dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi.

Ndërkaq kryetari i Shoqatës”Qyteti i Bletëve” Dritan Dikena, u shpreh se është i kënaqur me numrin e garuesve edhe përkundër faktit se përballemi me pandeminë. “Duhet të sqarojmë se në garat për kualitet të mjaltit nuk janë bletarët në garë me njëri-tjetrin por secili mjaltë është në garë me vetveten. Sot është komisioni organoleptik, i cili do të jep nota në bazë të shijes, aromës, ngjyrës, të gjitha ato elemente që i përmban mjalti. Pastaj, mjalti do të shkojë në Laboratorin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit , dhe të dyja këto rezultate do të bashkohen dhe do të nxirret rezultati se cili mjaltë do të marrë medalje të artë, të argjendtë apo të bronztë”, tha kryetari i Shoqatës”Qyteti i Bletëve”, Dritan Dikena.

Në këtë garë morën pjesë 350 bletarë nga 17 vende të ndryshme, jo vetëm nga vendi, por edhe nga rajoni, shtetet e Evropës Perëndimore nga SHBA-të dhe Australia.

Garat ndërkombëtare për kualitet të mjaltit “Tetovo Honey Awards” do të përfshijnë edhe ndarjen e disa çmimeve, si: Medalje e artë; Medalje e argjendtë; Medalje e bronzit dhe Çmimin “Bleta e artë”. Analizat organoleptike të mjaltit do të bëhen sot, më 31 tetor, kurse analizat laboratorike do të bëhen pas 2 nëntorit dhe do të zgjasin rreth dy javë.