Universiteti i Tetovës, përmes një ceremonie solemne, më 8 qershor 2019, në sheshin e Rektoratit e promovoi gjeneratën e absolventëve të vitit akademik 2018/2019. Në prani të udhëheqësisë më të lartë të Universitetit të Tetovës, prindërve e familjarëve, miqve e dashamirëve të tyre, si dhe një numri të madh të personaliteteve të jetës akademike, politike, intelektuale e shoqërore, absolventët e Universitetit të Tetovës e shënuan në mënyrën më madhështore ceremoninë e hedhjes së kapelave.
Fjala e parë në këtë ceremoni i takoi, kryetarit të Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Islam Imeri, i cili duke i uruar absolventët për arritjen profesionale të tyre, me përfundimin e studimeve, njëherit i inkurajoi ata që edhe më tej ta ndjekin rrugën akademike, ngase është e vetmja rrugë që garanton konkurrencën dhe krahasimin me vendet më të përparuara të botës. “Të studiosh në Universitetin tonë, në këtë tempull të ngritur me gjak e sakrificë të madhe, e them me plot gojë se është mburrje dhe krenari njëkohësisht, që burojnë nga historia e lavdishme e këtij universiteti. Ky institucion u lind nga dëshira e zjarrtë e populli tonë arsimdashës, u lind nga dëshira për ta parë të sotmen dhe të ardhmen, për ta parë këtë armatë të dijes që me sukses ka arritur ta kurorëzojë misionin e saj të edukimit dhe arsimit.
Peripecitë, pengesat sistematike të aparatit shtetëror të dikurshëm, nuk arritën ta zbehin vullnetin e popullit shqiptar, ndaj sot sakrifica e tyre e pashembullt për ta jetësuar projektin më madhor që kanë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sheh dritën e Zotit, sheh rritën dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, andaj, si mos e ruajmë e çmojmë këtë vlerë të jashtëzakonshme kombëtare” – u shpreh Islam Imeri.
Pas kryetarit të Parlamentit Studentor të UT-së, absolventëve, prindërve të tyre dhe të pranishmëve të tjerë në këtë manifestim, me fjalë rasti ju drejtua edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Siç tha ai, sfida akademike e çdo njërit absolvent nuk përfundon sot dhe këtu, por ajo hap shumë sfida të reja për gjithsecilin prej tyre për t’u përballur guximshëm me ato në të ardhmen në profesionet e tyre. “Të nderuar absolventë, më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut ta përgëzoj këtë plejadë të studentëve absolventë, të cilët ndoshta në mendim të parë mendojnë se e kanë mbaruar rrugëtimin e tyre akademik, por për fat të mirë, besoj se janë të vetëdijshëm, se mu tani hapin rrugëtimin e ri për të ardhmen e tyre të ndritur akademike. Të dashur studentë, pas kësaj sfide fillestare akademike, sfidat në jetën tuaj nuk mbarojnë këtu.
Ju në të ardhmen do të ballafaqoheni me sfida të llojllojshme të jetës, andaj të jeni kureshtarë dhe të jeni guximtarë që ballëlartë të përballeni me çdo sfidë që do të del para jush. Për atë e keni mundësinë intelektuale dhe ajo që është më e rëndësishmja, Ju e keni mbështetjen e prindërve, vëllezërve dhe motrave tuaja, siç u kanë mbështetur deri këtu, andaj të jeni të guximshëm në të ardhmen e ndritur tonë të përbashkët” – potencoi Talat Xhaferi.
Më shumë se 1000 absolventë të Universitetit të Tetovës, në mesin e të cilëve, mjekë e infermierë, stomatologë e farmacistë, akusherë e fizioterapeutë, pedagogë e filozofë, sociologë e politikologë, gazetarë e juristë, gjuhëtarë e ekonomistë, teknologë e arkitektë, sportistë e artistë, piktorë e skulptorë, informatikanë e matematikanë, gjeografë e historianë, filozofë e psikologë, si dhe shumë të tjerë, në mënyrë solemne u pajisën me certifikata të nënshkruara nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili njëherit edhe e bëri ndarjen e tyre.
Kjo ceremoni festive e promovimit të absolventëve të Universitetit të Tetovës u begatua edhe me fjalimet e dy absolventëve ekselentë me mesatare të lartë. Absolventja ekselente e Fakultetit Pedagogjik, Majmire Ramadani tha se arritja e çdo absolventi, që sot është mes nesh, ka meritën e prindërve tanë, andaj, çdo njëri nga ne në të ardhmen duhet të kontribuojë në profesionet e tyre për t’i ndihmuar familjet dhe mbarë shoqërinë në vendin tonë. “Që nga koha e themelimit, universitetet kanë qëndruar në mes të dëshirës për kërkimin e të vërtetës dhe dëshirës sensitive për mësim praktik, për përgatitje për jetë dhe punë.
Zhvillimi i universitetit e determinon zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë. Universiteti është treguesi ynë që na e tregon dritën e nevojshme për të ecur nëpër errësirat e jetës. Të dashur kolegë, të mos harrojmë se ne i kemi borxh këtij vendi, popullit tonë, familjeve tona, andaj këtë borxh obligohemi që ta kryejmë në formën më të mirë, duke ia dhënë çdokush hakun në profesionin e tij” – theksoi Majmire Ramadani.
Ndërsa, absolventja e Fakultetit Filologjik, Sllavica Milloshevska tha se kjo ngjarje është kurorëzimi i punës së çdo studenti ndër vite. Ajo, gjithashtu u shpreh falënderuese për vlerësimin që ia kanë bërë duke ia nderuar gjithë mundin dhe angazhimin e saj gjatë periudhës së studimeve. “Jam shumë e ngazëllyer që më bëhet ky nder nga ana e Universitetit të Tetovës, pasi vlerësohet puna ime disavjeçare.
Ky rrugëtim i shkurtër në jetën time më pasuroi me dije, përvojë të çmueshme dhe shumë miqësi, të cilat gjatë kohë do t’i mbajë mend. Nga dita e sotme, me çdo vendim që do të marrim, t’i bëjmë krenarë prindërit tanë, të besojmë në veten tonë, që të mund t’i arrijmë qëllimet tona dhe t’i plotësojmë ëndrrat tona”, deklaroi Sllavica Milloshevska, duke iu uruar sukses të gjithëve në gjuhën shqipe, me fjalët “mos iu frikësoni asnjë pengese, pasi ju mund t’ia dilni”.
Ceremonia e hedhjes së kapelave të absolventëve pasoi me fjalimin e Rektorit të Universitetit të Tetovës, i cili para se t’u drejtohet absolventëve dhe të pranishmëve në sheshin e Rektoratit, i nderoi familjet e dëshmorëve duke e nderuar sakrificën më sublime të kombit tonë ndër gjenerata. “Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit, të nderuar absolventë, të respektuar prindër, pjesëmarrës dhe mysafirë, në prag të 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, në veprimtarinë arsimore-shkencore të institucionit tonë, 8 qershori i vitit 2019, shënon ditën e shumëpritur të mbi 1000 studentëve tanë mjekë, inxhinierë, historianë, pedagogë, psikologë, juristë, ekonomistë e gjuhëtarë të së ardhmes, të cilët solemnisht sot e përmbyllin një nga periudhat më të bukura të jetës dhe së bashku me prindërit, familjarët dhe profesorët, festojnë për suksesin e tyre të përbashkët.
Prania e Juaj në këtë ngjarje të rëndësishme për absolventët tanë, është nder dhe privilegj për Universitetin e Tetovës, sepse bota akademike dhe mbarë shoqëria, sot janë me sytë kah më të dashurit Tuaj, të cilët njëherit kanë qenë edhe më të shtrenjtët tanë dhe amaneti ynë për plot katër vjet. Të gjithë e dimë se rruga drejt dijes kurrë nuk ka qenë e lehtë, madje po të ishte e tillë, sakrifica Juaj si prindër dhe mundi i fëmijëve Tuaj nuk do të përjetohej kaq thellësisht, siç e përjetojmë sot bashkërisht, Ju dhe ne.
Po ndjesia e triumfit të merituar, vjen gjithmonë pas punës së devotshme, pas netëve pa gjumë dhe pas ditëve të kaluara në kërkim të diturisë. Ky Universitet, të cilin kombi ynë me të drejtë e quan vatra e dritës dhe diturisë, me punën titanike, veprimtarinë e bujshme arsimore-shkencore, për brezat e rinj nga trojet etnike shqiptare në vendin tonë e më gjerë, është shndërruar në tempullin e edukimit, arsimimit dhe përparimit mbarëkombëtar, por përparimi i studentëve tanë ka qenë e vazhdon të mbetet arritje mbi arritjet, sukses mbi sukseset.
Ju, këtij Universiteti ia keni besuar të ardhmen e më të çmuarve tuaj, kurse ne tek ata kemi gjetur shpresën e një kombi të tërë, për ngritjen e dijes në piedestalet më të larta dhe mposhtjen e padijes dhe errësirës shumëshekullore. Absolventët tanë dhe bijtë Tuaj, me diplomimin e tyre në Universitetin e Tetovës, janë dëshmia më e madhe e seriozitetit të këtij institucioni, që me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë, synon progresin kolektiv në botën e shkencës dhe aspiron drejt një të ardhmeje të ndritur për këta emra, që herët ose vonë do të dëgjohen si storje suksesi, në auditorë edhe më të mëdhenj se ky i sotmi” – tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai, më tej para absolventëve u shpreh: “Ju po e përmbyllni kapitullin Tuaj të jetës që për shumë studentë përpara dhe pas Jush do të mbetet më i lumturi dhe më vendimtari në vitet e karrierës që ju pret, e për të cilën shpresojmë dhe besojmë se do të jetë e mbushur me suksese, me të cilat do të krenohet edhe Universiteti i Tetovës – shtëpia që ju rriti me dije. Si Rektor i Universitetit të Tetovës, jam plotësisht i bindur në aftësitë Tuaja për ta filluar karrierën profesionale.
Disa nga Ju do të vazhdojnë arsimimin e tyre në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, e midis Jush ne shohim edhe profesorët e ardhshëm të këtij institucioni, të cilët do ta vazhdojnë traditën e suksesshme të stafit aktual të Universitetit tonë, që shumë prej tyre ju kanë inspiruar dhe motivuar përgjatë viteve të studimit në këtë Universitet. Ju, si shumë qindra e mijëra të rinj para Jush, zgjodhët për të studiuar në Universitetin e Tetovës, ndoqët me sukses rrugën e arsimimit dhe edukimit dhe në këtë mënyrë jeni bërë pjesa më vitale, simbolika dhe shprehja më madhështore, që i jepni jetë Universitetit tonë, i cili dita-ditës, falë të gjithëve, po ngritët në një universitet me rëndësi vendore dhe rajonale.
Por, me siguri jeni të vetëdijshëm se sfidat dhe vështirësitë në botën e shkencës nuk do të përfundojnë me marrjen e diplomës universitare. Përkundrazi, ju pret një rrugë e gjatë dhe mbase edhe me gjemba dhe gurë, por ne besojmë në fuqinë e dijes me të cilën ju ka pajisur ky Universitet dhe besojmë në vetëdijen Tuaj të kalitur nga ky Universitet, se suksesi Juaj duhet ndërtuar me punë dhe përkushtim, me vullnet e këmbëngulje dhe me qëllime të pastra për të cilat do te jemi krenarë edhe Ju edhe ne.
Ju falënderojmë të gjithëve për këto vite të bukura që kaluam së bashku dhe do të doja t’ju them se e përjetojmë këtë moment kaq madhështor sikurse Ju dhe prindërit tuaj të nderuar, të cilët sakrifikuan dhe kontribuan për të ardhmen e përbashkët të kësaj shoqërie, e të këtij Universiteti, e cila në krye me Ju, nuk ka se si të mos jetë e ndritshme dhe në krye me Ju nuk ka se si të mos jetë inspirim për gjeneratat që do të vijnë. Në fund, në emrin tim dhe në emër të Universitetit të Tetovës, Ju përcjell urimet vëllazërore të gjithë Juve, që na keni nderuar sot, në këtë ditë solemne e në këtë gëzim të përbashkët të përmbylljes me sukses të studimeve të vitit akademik 2018/2019.
Të bekuar qofshi me dije dhe suksese! I bekuar qoftë nga Zoti, Universiteti i Tetovës!” Kështu e përmbylli fjalimin e tij Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Pjesa më e bukur e kësaj ceremonie ishte momenti i hedhjes së kapelave nga ana e absolventëve të të gjitha njësive akademike të Universitetit tonë, ndërsa më pas për të gjithë të pranishmit në sheshin e Universitetit të Tetovës, performuan me këngët e tyre ish studentja e Fakultetit të Arteve të UT-së, Elita Ziberi dhe Selami Kolonja, profesor në të njëjtin fakultet.