Në Universitetin e Tetovës, sot, u organizua ceremonia e ndarjes së bursave universitare për studentët еkselentë, të ciklit të parë të studimeve në vitin akademik 2019/2020. Në këtë aktivitet u ndanë 80 bursa universitare, sikundër u vlerësua kontributi i studentëve dhe përkushtimi i tyre në avancimin e procesit arsimor, shkencor dhe kulturor.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti në fjalën e tij deklaroi se është kënaqësi e veçantë për të gjithë, që janë tubuar bashkë në një veprimtari arsimore ku fjalën kryesore e ka suksesi i studentëve. “Studentët, brezi më përfaqësues i shoqërisë sonë, kanë qenë dhe do të mbeten shpresa te të cilët ne shohim ndryshimin, përparimin dhe avancimin e proceseve arsimore, shkencore, kulturore, pse jo dhe politike. Forca e tyre buron nga dija, ndërkaq dija e tyre e forcon një shoqëri të tërë. Universitetet konsiderohen të konsoliduar vetëm atëherë kur studentët ndjehen të realizuar në qëllimin e tyre dhe vetëm atëherë kur arritjet e tyre profesionale i kalojnë auditorët e fakulteteve tona. Tashmë të gjithë e dinë se Universiteti i Tetovës paraqet qendrën arsimore – shkencore ku zhvillohen e realizohen me sukses të plotë qindra aktivitete, por ndarja e bursave për ekselentët tanë, padyshim zë vendin e merituar, dhe si e tillë, paraqet një nga sukseset tona të përbashkëta”, theksoi mes tjerash Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Po ashtu, ai i përgëzoi ekselentët që i kanë plotësuar kriteret e kërkuara arsimore dhe i kanë fituar bursat universitare në bazë të punës, aftësisë dhe meritës së tyre, njëherazi u shprehi mirënjohjen për kontributin që japin dhe nderin që i bëjnë Universitetit të Tetovës dhe me këtë rast veçoi sakrificën e prindërve të tyre dhe mbështetjen në rrugën drejt suksesit.
Ndarja e bursave realizohet në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë, Statutin e Universitetit, dhe me vendim të Senatit të UT-së.