UT shënon 24 vjetorin e ligjëratave të para

Njëzet e katër vjetori i fillimit të ligjëratave të para në Universitetin e Tetovës të dielën është shënuar me disa aktivitete nga ana e stafit drejtues të Universitetit të Tetovës. Fillimisht janë bërë homazhe pranë bustit të dëshmorit të arsimit Abdylselam Eminit, në Reçicë të Vogël, ndërsa më pas drejtuesit e Universitetit të Tetovës kanë bërë homazhe edhe tek varri i rektorit të parë të këtij universiteti tashmë i ndjeri Fadil Sulejmani, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Në ndërkohë, rektori i Universitetit të Tetovë, Vullnet Ameti së bashku me profesorët, prorektorët, dekanët… vizituan edhe fshatin Poroj. Në mejtepin e këtij fshati u mbajtën ligjëratat e para më 17 shkurt të vitit 1995. Të pranishmit u njohën edhe me historikun e ngjarjeve të asaj kohe në këtë objekt, i cili tashmë është muze me shumë faktografi dhe dëshmi të asaj kohe.

Sipas prorektorit të UT-së, Arbër Çeliku, kjo datë është shumë e rëndësishme për mbarë shqiptarët, sepse përkon edhe me shpalljen e Pavarësisë së shtetit të Kosovës. “Si popullatë shqiptare në këto treva, kemi fatin të shënojmë dy ngjarje të rëndësishme. E para është 17 shkurti i fillimit të ligjëratave të para në vitin 1995 që shënon një kthesë tek popullata shqiptare në Maqedoni. Universiteti i Tetovës më pas e dëshmoi me punën e tij, sepse kemi krijuar 24 vjet Universitet, i kemi dhënë kuadro këtij shteti, të cilët i udhëheqin proceset në këtë shtet. E dyta është se më 17 shkurt të vitit 2008, në Ballkan u krijua shteti i dytë që do të ndikojë në relaksimin e situatave të përgjithshme, politike, shoqërore dhe ekonomike”, tha Çeliku.

“Mbajtja e ligjëratave të para ishte me përplot sfida, sepse fshati dhe objekti ku do të mbaheshin ligjëratat e para ishte i rrethuar me forca policore, por në mbrojtje të profesorëve dhe studentëve të parë doli popullata vendase e këtij fshati dhe nga rrethina e Tetovës”, tha një nga studentët e parë, tashmë profesor doktor Jusuf Zendeli, nga fshati Poroj.

“Fillimi i ligjëratave të para janë ndër ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve të Maqedonisë. Pas aktit të themelimit të Universitetit, mbajtja e ligjëratave të para nuk ka qenë e lehtë, ka qenë një proces shumë i vështirë, i përcjellë me shumë sfida, por falë banorëve të Reçicës, Porojit dhe gjithë shqiptarëve gjithandej që sakrifikuan gjithçka, studentët e parë, profesorët e parë, sidomos nga Universiteti i Prishtinës dhe u arrit të mbahen ligjëratat e para. Kjo ishte një dëshmi se shqiptarët e duan arsimin, shkollimin dhe natyrisht kjo mundësoi që pas disa viteve, ky institucion të zyrtarizohet”, tha Zendeli.

Sipas tij, Universiteti i Tetovës më pas me krijimin e kuadrove, arriti të kthejë tërë sakrificën për këta banorë, sepse këta kuadro tashmë janë në shërbim të asaj popullate që dikur i mbrojti. “Për ne është mburrje dhe krenari që kemi sakrifikuar bashkë për të krijuar një universitet prestigjioz, një universitet që tashmë ka bashkëpunim me shumë universitete nga mbarë bota, sidomos nga SHBA-të. Për të gjitha ata vuajtje, vështirësi dhe sakrifica, unë mund të them se ja ka vlejtur sepse ne dëshmuan se jemi për t’u shkolluar dhe të kontribuojnë shumë në këtë shtet”, tha më tej Zendeli. Më 17 shkurt të vitit 1995 filluan ligjëratat e para, të cilat u mbajtën në fshatin Poroj dhe në Reçicë të Vogël, atje ku ishin tubuar mijëra njerëz për të mbështetur studentët dhe profesorët. (koha.mk)

Marketing