Australia ka siguruar qasjen ndaj një vaksine mjaft premtuese të koronavirusit dhe thotë se do të jetë në gjendje të shpërndajë doza falas për të gjithë popullatën e saj prej 25 milionë banorësh.
Vaksina në fjalë është ajo që po zhvillohet nga kompania farmaceutike AstraZeneca dhe Universiteti i Oxford-it.
“Nëse testet klinike rezultojnë të suksesshme, atëherë marrëveshja me AstraZeneca do të na garantojë akses të hershëm për çdo australian”, deklaroi kryeministri Scott Morrison.
Sipas tij, vaksinimi me shumë gjasë ka për të qenë i detyrueshëm. Australia ka shënuar 450 vdekje nga koronavirusi, shumica e tyre pasojë e një shpërthimi të vrullshëm të sëmundjes në shtetin e Viktorias, i cili në fillim të këtij muaji shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi masa të rrepta izolimi pas një shtimi të menjëhershëm të infektimeve.
Viktoria ka ende më shumë së 7.000 raste aktive, por numri i të prekurve të rinj ka pësuar rënie javën e kaluar. Vaksina e Oxford dhe AstraZeneca është një prej pesë kandidateve premtuese për të mbërritur fazën më të avancuar të testeve klinike dhe shumë vende të botës po përpiqen ta sigurojnë për popullatat e tyre.