Vaksina kundër fruthit dhe rubeolës do të testohet ndaj Covid-19

Në mungesë ende të një vaksine të posaçme kundër Covid-19, shkencëtarët britanikë po studiojnë mbrojtjen e mundshme kundër koronavirusit që mund t’a krijojë vaksina e trefishtë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.

Marketing

Siç shkruajnë mediat britanike, shkencëtarët u referohen disa rasteve ku shumë persona të cilëve u është injektuar kjo vaksinë që kur ishin fëmijë, kanë shfaqur shumë më pak simptoma nga infektimi me Covid-19 krahasuar me të pavaksinuarit. Një rast konkret është ai i marinarëve të aeroplanmbajtëses amerikane Teodor Rusvelt.

Në fillim të Qershorit, mbi 1 100 marinarë në bord rezultuan pozitivë ndaj testeve të Covid-19. Përveç njërit prej tyre që shfaqi komplikacione dhe ndërroi jetë pas shtrimit në spital, të gjithë të tjerët e kaluan infektimin me simptoma të lehta.

Ata që shfaqën simptoma të lehta e kishin bërë vaksinën e trefishtë rreth të 20-ave. Për këtë arsye, në Britaninë e Madhe po shqyrtohet mundësia e nisjes së testeve të kësaj vaksine tek njerëzit, me synimin për të rritur imunitetin mbrojtës ndaj Covid-19.

Vaksina e trefishtë i është injektuar popullatës në disa vende të botës përfshirë edhe Shqipërinë, duke nisur nga fundi i viteve ’80.