Vaksinat e financuara nga BE, Varhejli të martën në Shkup

Eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme, në të njejtën kohë kur në rajon mbërrijnë vaksinat e para COVID-19, të ndara dhe të financuara nga Bashkimi Evropian. Várhelyi do të fillojë vizitën e tij të hënën pasdite në Serbi, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të martën dhe më pas Shqipëria dhe Kosova të mërkurën.

Marketing

Gjatë këtij turi ballkanik, ai do të diskutojë me autoritetet rreth përgjigjes së të gjitha vendeve ndaj pandemisë, si dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst. 651 mijë doza BioNTech / Pfizer do të dorëzohen në rajon në këste javore nga fillimi i majit deri në gusht, si ndihmw për të përshpejtuar fushatat e vaksinimit. Në një mesazh në Tuiter , Várhelyi shkruan: “Unë jam duke udhëtuar në Ballkanin Perëndimor për të dhënë një mesazh të qartë: Na intereson! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punonjësit e tyre të kujdesit shëndetësor dhe më të prekshmit. Dorëzimi i vaksinave konfirmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të siguruar mbështetje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Jemi më të fortë së bashku!”

Vaksinat financohen nga paketa 70 milionë euro e miratuar nga KE në dhjetor 2020 për të ndihmuar në mbulimin e kostos së vaksinave, të siguruara në bazë të marrëveshjeve të BE-së për blerjen paraprake për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave përmes marrëveshjeve ligjore me prodhuesin dhe secilin partner të Ballkanit Perëndimor.

Shpërndarja bazohet në nevojat epidemiologjike. Më shumë vaksina do të marrë Bosnjë e Hercegovina – 214.000 doza, Shqipëria – 145.000 , Maqedonia e Veriut – 119.000 , Kosova 95.000, Mali i Zi 42.000 doza. E fundit në këtë listë shpërndarjeje është Serbia që do të marrë vetëm 36.000 vaksina , pasi llogaritet si shteti Ballkanik që qëndron më mirë me procesin e vaksinimit të popullsisë. Këto vaksina vijnë mbi ato të siguruara nga COVAX, ku BE-ja është një nga kontribuesit kryesorë me afër 2.5 miliardë euro nga Team Europe (BE dhe shtetet anëtare të saj).

Shpërndarja do të bëhet konform nevojave të shteteve, por edhe në përputhje me ecurinë e procesit të vaksinimit.

Në tetor, Komisioni vendosi në tryezë një Plan Ekonomik dhe të Investimeve që mund të mobilizojë deri në 28 miliardë euro në grante, garanci dhe hua preferenciale për të nxitur rimëkëmbjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe konvergjencën me BE-në