Maqedonia përfshihet nga temperatura të larta tropikale. Sot dhe nesër është shpallur faza e verdhë-fazë alarmi, pasi temperaturat shkojnë deri në 38 gradë Celcius. Nga Shtëpia e Shëndetit në Shkup thonë se shënon rritje numri i thirrjeve urgjente në Ndihmën e Shpejtë. Rastet më të shpeshta janë kolapset, si pasojë e qëndrimit të gjatë në diell dhe mos konsumimit të mjaftueshëm të lëngjeve.
“Rekomandohet që qytetarët të konsumojnë më tepër lëngje, të përdorin veshmbathje të lehta, të shmanget dalja e pa nevojshme në diell gjatë periudhës nga ora 10 e paradites deri në orën 5 të mbrëmjes, personat me sëmundje kronike të marrin terapinë në mënyrë të rregullt dhe të jenë të kujdesshëm në gjithë situatën”-tha Milica Buballo, Shtëpia e Shëndetit Shkup.
Enti hidrometeolorgjik parashikon që deri të shtunën temperaturat të jenë shumë të larta, ku në disa vende do të arrijnë deri në 38 gradë celsius. Nga e diela në orët e pasdites pritet që të ketë reshje lokale të shiut ndërsa temperaturat maksimale pritet të shënojnë rënie.