Valë e re e të nxehtit, RMV në fazë “alerte”, mjekët: Të respektohen rekomandimet

Maqedoninë e Veriut e ka kapluar moti i nxehtë dhe me temperatura të larta, ndërkohë pritet që nga dita e nesërme të përfshihet në fazën portokalli, thonë nga Enti Hidrometeorologjik. Ata informojnë se temperaturat e larta do të vazhdojnë deri në javën e ardhshme.

Marketing

“Ditëve në vijim do të vazhdojë të mbretërojë mot i nxehtë, pritet rritje të temperaturave. Prej nesër do të shpallet faza e portokalltë, deri të mërkurën e ardhshme do të kemi mot mjaft të nxehtë dhe me erë të kohëpaskohshme”,- tha sinoptikania, Dushanka Tanushevska.

Mjekët thonë se thirrjet për intervenime mjekësore janë shpeshtuar dhe apelojnë që t’i shmangen temperaturave të larta, dhe të respektojnë rekomandimet e mjekëve.

“Mbrëmë dhe sot paradite kemi pasur thirrje në vende publike si gjendje të kolapsit dhe alivanosje, sidomos persona të moshuar apo ata të sëmurë kronikë. Rekomandohet të jemi shumë të kujdesshëm sepse temperaturat janë të larta dhe të mos dalim shpesh në ambient të hapur, sidomos pas orës 10”,- tha Marina Sotirovska nga Ndihma e Shpejtë.

Qytetarët thonë se vështirë i përballojnë temperaturat e larta, por e kanë të patjetërsueshme t’i kryejnë obligimet ditore.

“Shumë rëndë e përballoj vapën, po më shumë qëndroj në shtëpi dhe përdori kondicioner”,- tha një qytetare.

“Përdori çadër në këtë kohë, sepse kam problem me sytë dhe unë më shumë freskohem në shtëpi”,- tha një qytetar.

“Mezi po qëndroj”,- tha një qytetare.

ShSM: Punëdhënësit të respektojnë dispozitat e Ligjit për punë

Pas paralajmërimeve për valë të re të të nxehtit, Shoqata e Sindikatave të Maqedonisë u bëri thirrje punëdhënësve që të respektojnë masat e parashikuara në Planin e veprimit për parandalimin e efekteve në shëndetin e popullatës.

Sipas Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, punëdhënësi është i detyruar të sigurojë kushte të përshtatshme pune që nuk do të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Rekomandon punëdhënësit që të kontrollojnë masat tekniko-teknologjike të mbrojtjes kolektive, të sigurojnë të paktën një dhomë me ajër të kondicionuar, ku punonjësit të kenë kushte më adekuate për të punuar; Të moshuarit, gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë të lirohen nga puna, të bëjnë ndryshime në organizimin e procesit të punës apo ndërrim në punë; Të shmanget puna në ambient të hapur prej orës 11 deri në orën 17. Të informohen punëtorët për rrezikun në vendin e punës në temperaturë të lartë, efektet e mundshme shëndetësore si dhe masat e sigurisë për rritjen e rrezikut të aksidenteve në punë!