Van Dijk ende beson në titullin e Premierligës: “Të bëjmë punën tonë e të presim çfarë do të ndodhë mes City e Brighton”

Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil Van Dijk, ka paralajmëruar Manchester Cityn se ata nuk mund të jenë të qetë në ditën e fundit të sezonit në Premierligë.

Marketing

Kampionët në fuqi, City udhëton te Brighton me një pikë më shumë se Liverpooli, që pret Wolves në Anfield.

“Redsat” duhet të mposhtin Wolves dhe të shpresojnë për një ndihmë nga vendi i 17-të Brighton & Hove Albion për të fituar për herë të parë Premierligën pas 29 vitesh.

Van Dijk refuzon të humbasë shpresat, sidomos në një javë ku ata mposhtën Barcelonën duke u kthyer nga tre gola diferencë në një gjysmë finale të paharruar në Ligën e Kampionëve në Anfield, ku triumfuan 4-0.

“Gjithçka është ende në lojë, ju duhet të jeni realist. Mënyra se si City ka luajtur gjithë sezonin të gjithë presin që ata të fitojnë. Por kurrë nuk i dihet dhe tani do fokusohemi që të mposhtim Wolves, sepse edhe kjo është e vështirë.”, tha Van Dijk.

Tutje ai shtoi se të gjithë po presin që Brighton të krijojë befasinë, ndërsa potencoi se kanë një avantazh pasi që luajnë në shtëpi.

“Kemi treguar gjatë gjithë sezonit se nuk dorëzohemi. Nëse e bëjmë punën tonë presim se si do rrjedhin gjërat në Brighton. Ndonjëherë duhet të keni atë pak fat, por duhet që të vazhdoni të punoni. Kjo ishte një javë e jashtëzakonshme për ne në Ligën e Kampionëve dhe të shohim se çka do të ndodhë”, shtoi mbrojtësi në formë.

Liverpool përballet me mundësinë që të bëjë 97 pikë dhe përsëri të mos fitojë ligën.

“Ndiheni të dëshpëruar pasi që të gjithë që janë aq afër presin të fitojnë ligën. Ky është standardi që City ka vënë këtë sezon. Ata kanë qenë të pabesueshëm. Por ky është vetëm fillimi për ne. Unë erdha dimrin e kaluar dhe ne kemi bërë përparim të madh që atëherë, klubi ka bërë hapa të mëdhenj që atëherë”.

“Nëse do na duhet sezonin tjetër me mbi 100 pikë atëherë do provojmë që ta bëjmë. Por ne jemi ende në garë dhe ende besojmë. Duhet të jemi realist, nuk është në duart tona dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë është të mposhtim Wolves.”, tha për fund holandezi që po konsiderohet nga shumë si mbrojtësi më i mirë në botë për momentin.

Nëse jo Premierligën, Liverpooli do të tentojë që sezonin e mrekullueshëm ta kurorëzojë me trofeun e Champions League.

Me 1 maj, në Madrid, në stadiumin e Atleticos, në “Wanda Metropolitano”, Liverpooli dhe Tottenhami do të luftojnë për trofeun më prestigjioz.

Marketing