Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi është optimist se raportet që javën e ardhshme do t’i publikojë Komisioni Evropian do të konstatojnë progres të mjaftueshëm në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për hapje të negociatave për anëtarësim. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov tha se shtetet e rajonit mbeten të angazhuara në tejkalimin e dallimeve dhe realizimin e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësim në BE.
Përgjatë dy takimeve në Këshillin e Përgjithshëm po punojmë me të gjitha shtetet anëtare, paralelisht me raportet që do të publikohen javën e ardhshme. Ashtu që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian nuk do të flasim vetëm për metodologjinë, por edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ky është plani i presidencës kroate. Mendoj se progresi duhet të konsiderohet si i mjaftueshëm, por nuk dua të parashikoj konkluzionet e raporteve – deklaroi Oliver Varhelyi, Komisioneri evropian për Zgjerim.
Kemi akoma disa dallime në rajon, punojmë në to dhe duam t’i zgjidhim. Por ajo që i unifikon të gjitha partitë politike në rajon është dëshira për të ardhme të përbashkët evropiane. Mendoj se ka atmosferë uniteti në këtë mision të rëndësishëm historik që kemi, të investojmë në reforma, në marrëdhënie bilaterale dhe ta afrojmë rajonin me BE-në – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Këto komente u bënë pas takimit në Pragë të ministrave të Jashtëm nga rajoni dhe Grupi i Vishegradit. Në takim u nënvizua se integrimi i Ballkanit Perëndimor është në interes gjeostrategjik të BE-së dhe se BE-ja nuk do të jetë asnjëherë plotësisht unike, progresive e stabile pa Ballkanin Perëndimor.