Varhelyi: Shkupi dhe Tirana kanë mundësi t’i zbatojnë reformat

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, shprehu optimizmin e tij se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund t’i zbatojnë reformat e kërkuara për t’u bërë anëtare të BE-së.

Marketing

“Jam shumë i inkurajuar nga vizitat e mia në të dyja vendet”, tha Varhelyi të martën në Bruksel.

“Ata nuk heqin dorë nga reformat… Ju do ta shihni se ata do t’i realizojnë. Dhe, nëse e bëjnë këtë, duhet të jeni të bindur se negociatat (për anëtarësim në BE) duhet të hapen”, tha Varhelyi, i cili këtë muaj ka vizituar rajonin.

Deklarata e tij vjen pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka bllokuar nisjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën në tetor, ka thënë javën e kaluar se tani është i gatshëm të lejojë nisjen e tyre, nëse Komisioni Evropian u bën vlerësim pozitiv, muajin e ardhshëm.

Macron ka refuzuar të japë dritën e gjelbër në tetor, duke thënë se procesi i anëtarësimit të vendeve të reja në BE duhet të ndryshojë.

Këtë muaj, Varhelyi ka dalë me propozimin që vendeve të BE-së t’iu jepet autoritet për të shtyrë ose kthyer në pikën zero bisedimet për anëtarësim, nëse vendet kandidate nuk tregojnë përparim.