Vazhdon “gara” për formimin e qeverisë, kush do jetë kryeministër?

Negociatat e partive për koalicionin e ardhshëm qeveritar vijojnë të zhvillohen larg syve të opinionit. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar takim mes Lupço Nikollovskit nga LSDM-ja dhe Artan Grubit nga BDI-ja.

Marketing

Në një komunikatë të përbashkët thuhet se të dyja partitë angazhohen për paqe, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim brenda dhe jashtë vendit, për marrëdhënie të mira ndëretnike, zhvillimin ekonomik, shtetin e së drejtës dhe mirëqenie sociale. Në deklaratë nuk përmendet fare posti i kryeministrit, të cilin e synojnë dy partitë, e as ndarja e posteve tjera.

Biseduam për një shumicë parlamentare dhe një koalicion për një mandat të plotë, katërvjeçar, të qëndrueshëm. Konfirmojmë se nuk kemi asnjë alternativë tjetër për integrimin përveç anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për prosperitetin dhe stabilitetin afatgjatë të Maqedonisë (v.j. së Veriut). Ne jemi plotësisht dakord të respektojmë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ne jemi të përkushtuar për kohezionin shoqëror, një shoqëri të fortë dhe tolerante, shtetin e së drejtës dhe jemi dakord të kundërshtojmë të gjitha format e nacionalizmit dhe urrejtjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët të të dyja partive politike.

Edhe nga VMRO – DPMNE thonë se punojnë për formim të shumicës parlamentare, por nuk japin detaje rreth takimeve.

Bëjmë përpjekje që të formojmë shumicë parlamentare. Lidhur me takimet e ardhshme të cilat duhet të caktohen, respektivisht të cilat do të realizohen, do të presim e ja lëmë kohës, por në momentin që do të caktohen ose kur do të kemi informata më konkrete do të njoftohen edhe mediat edhe opinioni se deri ku është situata me negociatat”-tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Ndërkaq nga Koalicioni ASH-AAA, thonë se pas takimit në Kuvend me kreun e LSDM-së nuk kanë pasur takime të tjera. Shtojnë se në negociata janë vetëm me LSDM-në. Nga ky koalicion thonë se negociata zyrtare do të kenë pasi presidenti Stevo Pendarovski të japë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi është optimist se do të formohet qeveri e re dhe se koalicioni i tyre me Aleancën për Shqiptarët do të jetë pjesë e saj.

Jam optimist, citoi, se do të formohet qeveri, qeveri e mirë. Pres që edhe ne të bëhemi pjesë e asaj qeverie, nëse arrijmë përcaktimet tona programuese dhe premtimet parazgjedhore t’i vendosim, të bëhen pjesë e programit zgjedhor. Presim, që të vjen një moment shumë interesant, ku do të duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe të tregojmë se duhet të ndalen disa praktika të urrejtjes politike dhe betejës së brendshme”, tha Gashi në paraqitjen e tij të djeshme.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari përsëriti se nuk kanë asnjë përputhje me BDI-në, por se do ta mbështesnin mandatin eventual të Naser Ziberit si kryeministër.

Theksojmë se miratimi ynë ndaj kësaj partie do të ndodhë vetëm nëse z.Naser Ziberi merr mandat si kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kuptohet qartë se ky miratim nuk ka lidhje me partinë e BDI-së por ka lidhje me kandidatin për kryeministër”-tha Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Përderisa partitë politike nuk japin informata konkrete për formimin e shumicës parlamentare, Presidenti Stevo Pendarovski ka afat edhe gjashtë ditë që të japë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Në bazë të kushtetutës, Presidenti mandatin për formimin e qeverisë ia jep partisë me numrin më të madh të deputetëve. Nëse ajo nuk arrin të formojë qeverinë brenda 20 ditëve atëherë mandati i kalon partisë së dytë. Për formimin e qeverisë së re nevojiten 61 vota. Nga zgjedhjet e 15 korrikut, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.

BDI fushatën e ka udhëhequr me moton “për kryeministrin e parë shqiptar” me kandidatin e tyre për kryeministër, Naser Zyberi, por këtë kërkesë e ka kundërshtuar kryetari i LSDM-së njëherë edhe kandidat për kryeministër Zoran Zaev, duke theksuar se “kryeministri nuk fitohet me 15 deputetë”, por edhe nga partia e Ali Ahmetit janë përgjigjur duke thënë se kryeministri nuk fitohen as me 46 deputetë. VMRO-DPMNE-ja si kandidat për kryeministër ka liderin e partisë Hristijan Mickoski.