Vazhdon kërkimi për dy personat e zhdukur në Halkidiki, e që me gjasë janë shtetas maqedonas, ende pa rezultate, ndërsa operacioni i shpëtimit vazhdon edhe sot si në det ashtu edhe nga ajri.
Sipas informacioneve të MIA-s nga shërbimi bregdetar grek, kërkimi edhe sot po bëhet në kushte të këqija atmosferike me erë të fortë prej me mbi 40 kilometra në orë, ndërsa në aksion janë përfshirë anije të shërbimit bregdetar, varka dhe anije që janë afër si dhe një helikopter.
Operacioni i shpëtimit ka nisur dje rreth orës 19:00 me orën lokale, pasi tre shokët, në plazhin e Mitit në Posidi, kanë hyrë në det, por si duket janë tërhequr nga rrymat dhe dallgët, për shkak të motit të keq. Njëri nga tre shokët ka shpëtuar.
Shërbimi Bregdetar i Greqisë konfirmoi dje për korrespondentin e MIA-s nga Athina se personi i shpëtuar është nga Maqedonia e Veriut dhe është një djalë 25-vjeçar, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.
Për dy të tjerët supozohet se janë edhe shtetas të Maqedonisë, por nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet, ndonëse mediat greke pretendojnë se të zhdukurit janë nga Maqedonia e Veriut.
Sipas mediave vendase, njëri prej tre miqve kishte ditëlindjen dhe ata erdhën në Halkidiki për të festuar dhe në një moment hynë në det për të notuar, duke injoruar erën e fortë dhe dallgët.
Disa prej të pranishmëve në plazh kanë vënë re se tre shokët kishte filluar t’i tërheq deti, me çrast kanë njoftuar menjëherë shërbimin bregdetar dhe më pas ka nisur operacioni i shpëtimit.
Kryetarja e Bashkisë së Kasandrës, Anastasia Halkia, ka shpjeguar për mediat greke se ai plazh është shumë i rrezikshëm për not, pasi ka rryma detare dhe dallgë të mëdha.