130 qytetarë të Maqedonisë së Veriut me aeroplan janë kthyer nga Londra. Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se aeroplani fluturoi nga aeroporti Luton, në afërsi të Londrës, ndërkaq në bashkëpunim me Ambasadën britanike në vend, në fluturimin drejt Shkupit janë marrë 60 shtetas të huaj nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Australia.
“Pas nëntë çarter-fluturimeve për kthim të shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Malta, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, Austria dhe Zvicra, sot në bashkëpunim me ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Londër, sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë, MPJ dhe Ministria e Shëndetësisë, MPJ organizoi çarter fluturim për kthim të qytetarëve të hasur në Mbretërinë e Bashkuar”, informoi MPJ.
Ministria informoi edhe se sot u organizua konvoji i katërt me radhë humanitar, kësaj radhe nga Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi, me çka në vend do të kthehen gjithsej 64 qytetarë të Maqedonisë së Veriut me 19 automjete.
Gjatë disa ditëve të kaluara, në bashkëpunim me ministritë e punëve të jashtme të disa vendeve dhe në koordinim me përfaqësitë tona diplomatike-konsullare, rreth 30 qytetarëve tanë nga SHBA-ja dhe Australia iu sigurua pa pengesa të tranzitojnë nëpër disa shtete me qëllim që të arrijnë në destinacionin e fundit, aeroportet në Sofje dhe Selanik.
“Me këtë, numri i përgjithshëm i qytetarëve të kthyer në vendin tonë, përfundimisht me sot, është 2431. Ministria e Punëve të Jashtme i falënderon autoritetet kompetente të Bullgarisë, Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi, BeH-së, Kosovës, Zvicrës, SHBA-së, Australisë, Holandës dhe Britanisë së Madhe për bashkëpunimin dhe sigurimin e tranzitit pa pengesë, si dhe për mbështetjen e përgjithshme në këto rrethana të vështirësuara. MPJ vazhdon me përpjekjet për kthimin në vend të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të hasur jashtë vendit; në ditët në vijim është paraparë edhe çarter fluturim për kthim nga Belgjika dhe Franca”, kumtoi sot pasdite MPJ.