Vazhdon lufta me zjarret, eurokomisari falënderon shtetet që ndihmojnë RMV-në

Dy helikopterë nga Sllovenia, një nga Serbia dhe një nga Mali i Zi, nga e marta po e ndihmojnë Maqedoninë e Veriut në përballjen me zjarret. Mëngjesin e së hënës nga Turqia arritën dy “air traktor” dhe një helikopter të cilët u përfshinë menjëherë në përballjen e zjarreve. Për këtë komisioneri evropian për menaxhimin e krizave, Janez Llanerçiq, ka shprehur faleminderimet e tij përmes rrjetit social X.

Marketing

“Në përgjigje të situatës emergjente me zjarret në pyje në Maqedoninë e Veriut, ne mobilizuam ndihmën përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Falënderoj Serbinë, Slloveninë dhe Turqinë për afrimin e shpejtë të ndihmës, duke vendosur gjithsej katër helikopterë dhe dy avionë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve”.

Përveç kësaj, ndihmë do të vijë edhe nga Kroacia.

“Në bazë të urdhrit të zëvendëspresidentit të Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Ministrit të Mbrojtjes, Ivan Anusic, avioni Canadair CL-415 nga forcat speciale të zjarrfikësve me dy ekuipazhe është miratuar për të ofruar ndihmë humanitare në shuarjen e zjarreve në Republika e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë.

Aktualisht janë të paktën 10 zjarre aktive në vend. Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angelov, theksoi se gjysma e tyre janë “serioze”, mirëpo më e rëndësishmja është se nuk ka vendbanime të rrezikuara. Angelov, bëri të ditur se sot është e mundur që të gjithë avionët që janë aktualisht në dispozicion, të përqëndrohen në një pikë: malin Serta ku të hënën, dy helikopter vendas dhe një turk po luftonin zjarrin në këtë vend.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, një helikopter i policisë i tipit Bel-412 nga departamenti i njësive të avacionit, të hënën ka hedhur mbi 35 tonë ujë, ndërsa aksion për shuarjen e zjarrit ka pasur edhe në fshatin Kalanjevë në komunën e Negotinës.

Sipas Angelov, rezultatet janë më të dobëta kur shuarja e zjarrit nga ajri nuk mbështetet nga toka. Ai tha se ndërhyrja nga toka është problematike, sepse terreni i Sertës ishte i vështirë, shkëmbor, i prerë nga lugina dhe i mbushur me bimësi të shpeshtë me kërcell të ulët, gjë që vështirësonte lëvizjen në terren. Për këtë shkak, sot është planifikuar që të gjithë avionët në dispozicion të përqëndrohen në atë pikë.

Marketing