Vazhdon problemi me transportin publik, kaos dhe rrëmujë në 40 gradë

Përderisa pritet takimi i famshëm mes drejtorit të ri të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik (NQP) dhe drejtuesve të autobusëve privat, qytetarët presin në temperatura të larta që të gjejnë një vend në autobusët që edhe sot linjat private ishin të reduktuar.

Marketing

Të shqetësuar për rrëmujën e krijuar dhe pritjet e gjata në temperaturat rreth 40 gradë, qytetarët thonë se më së shumti e pësojnë vetë ata duke kërkuar nga Institucionet që sa më shpejtë të gjejnë zgjidhje për këtë kaos të krijuar me transportin publik

“Presim nga gjysmë orë, nuk ka autobusë, këto privat i kanë ndalë, nuk kanë para dhe ata nuk vozisin pa para”, u shpreh një qytetar.

“Nuk vozisin se në të drejtë janë, pa rroga janë, si të punojnë, kanë familje dhe harxhime. A është vështirë për qytetaret? Po, sigurisht. Njerëz të sëmurë të presin me orë, të bien në rrugë”, tha një qytetare.

“Fajtorë është shteti që nuk i mundëson të punoje normalisht, nuk i paguajnë në kohë, dhe si të punojnë ata pa para, edhe ata mbajnë familje, dhe përgjegjës janë ata që udhëheqin me atë, nuk i intereson, bëjnë çfarë të duan dhe harxhojnë çfarë të duan e për këtë që ne presim këtu nuk mbajnë llogari”, tha një tjetër qytetar.

“Ata kanë të drejtë, kërkojnë pagesë. Shumë rrëmujë kishte në mëngjes, unë isha në mjek dhe tani erdha”, u shpreh një tjetër qytetare.

Gjatë ditës së djeshme, drejtori i ri i Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik kërkoi publikisht takim me përfaqësuesit e autobusëve privat por deri tani ky takim endë nuk ka ndodhur. Sipas përfaqësuesve të autobusëve privat nëse ky takim nuk realizohet sot dhe nëse nuk gjendët një zgjidhje për pagesën e borxhit nga ana e NQP-së, ata do të vazhdojnë edhe më tej me reduktimin e linjave, përkatësisht do të vozisin deri në ora 11:00 dhe më pas do të parkojnë autobusët. Sipas pronarëve të autobusëve privatë, borxhi që NQP-ja ka ndaj tyre shkon rreth dy milion euro ndërsa sipas drejtorit të ri të NQP-së ky borxh është më i ulët. /Alsat.mk

Marketing