Vdekja e 9 vjeçarit në Klinikën e fëmijëve në Shkup, Inspektorati Shëndetësor nuk ka gjetur lëshime në punën e mjekëve

Dy ditë pasi ndërroi jetë fëmija 9-vjeçar në Klinikën e Shkupit, Inspektorati Shtetëor Sanitar dhe Shëndetësor pas një mbykqyrjeje të jashtëzakonshme ka konstatuar se nuk ka pasë lëshime në trajtim.

Marketing

Inspektimi është kryer duke filluar nga mjeku i përgjithshëm në Sveti Nikollë, pastaj në Spitalin Klinik të Shkupit dhe në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, ku fëmija ka ndërruar jetë.

Sipas Inspektoratit, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, fëmija fillimisht është dërguar në spitalin e Shtipit e më pas në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.

Fëmija ka ankuar për dhimbje stomaku, të vjella, kollitje dhe temperaturë të lartë prej 39 gradësh, për shkak të së cilës nuk kishte fjetur gjatë natës.

“Duke shfaqur gjendje gjumi të thellë është dërguar në Spitalin Klinik të Shkupit, ku ka arritur rreth orës 18:00. Gjatë pranimit, fëmija ka qenë në gjendje të rëndë, dhe menjëherë është nisur me rihidratim dhe korrigjime të parametrave biokimikë. Në orën 22:25 ka pasur një përkeqësim të mëtejshëm, duke çuar në arrest respirator dhe kardiak, gjatë të cilit është transferuar në njësinë për kujdes intensiv për trajtim të mëtejshëm. Gjendja e fëmijës ka vazhduar të përkeqësohet dhe, pavarësisht të gjitha intervenimeve, reanimimi nuk ka pasur sukses dhe në orën 23:30 ka ndodhur vdekja e tij”, thuhet në raportin e IShSSh-së.

Edhe drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, ka thënë se fëmija është sjellë në objektin e tyre në gjendje të rëndë shëndetësore me arrest kardiak dhe parametra të dobët jetësor.