“Për Frosinën duhet të ketë drejtësi dhe rasti i Frosinës nuk duhet ti përsëritet askujt”, kështu u shpreh sot Rosica Kullakova, motra e Frosinës së ndjerë, e cila humbi jetën pasi që u godit nga një makinë e drejtuar nga një 20 vjeçar, më 30 janar. Ajo në protestën e sotme në Kavadar kërkoi përgjegjësi edhe nga babai i shoferit të veturës dhe ish-gjyqtarja Daniella Aleksovska-Stojanovska. Ajo tha se shoqëria është pasqyrë e vlerave që mbartin ata që e udhëheqin dhe fëmijët janë pasqyra më e pastër e prindërve të tyre.
ROSICA KULAKOVA, MOTRA E FROSINA KULAKOVA
“Ne kërkojmë drejtësi për Frosinën, jo vetëm nga vrasësi, ne kërkojmë drejtësi edhe nga babai. Ne kërkojmë që babai të burgoset, babai Zoran Jovanov dhe gjyqtarja Daniella Aleksovska Stojanovska të mbajnë përgjegjësi, të cilët nuk dolën publikisht t’i shprehin ngushëllime familjes, por si qyqar fshihen dhe fshijnë profilet e tyre. Nuk mund të pritet një qeverisje e ndershme dhe e përgjegjshme nga njerëzit që nuk kanë arritur të rrënjosin vlerat bazë morale dhe shoqërore as në shtëpitë e tyre. Caktimi i funksioneve shtetërore nuk duhet të kufizohet vetëm në kriteret formale arsimore”.
Kullakova tha se si qytetarë, si prindër dhe si pjesë e komunitetit, ata që nuk kanë arritur të rrisin trashëgimtarët e tyre për të respektuar ligjet, për të dalluar të mirën nga e keqja dhe për të jetuar ndershëm, nuk mund të pretendojnë besimin për të qeverisur shtetin.“Përkundrazi, individë të tillë nuk duhet të lejohen të mbajnë poste publike. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, por edhe për veprimet kriminale të fëmijëve të tyre” theksoi ajo. /SHENJA/