Vdekja e vajzës pesëvjeçare, Klinika e Fëmijëve: Nuk kishte lëshime në trajtim

Një vajzë pesëvjeçare nga Shkupi ka ndërruar jetë nga ndezja në tru në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve. Klinika siguron publikun se nuk ka pasur lëshim në trajtimin e vajzës pesëvjeçare. Theksojnë se rastet më të rënda u vijnë nga të gjitha qytetet e vendit dhe jo çdoherë mjekët dhe infermierët mund të parandalojnë një përfundim fatal.

Marketing

Mjekët thonë se e kanë bërë maksimumin, por ndezja në tru ka qenë e rëndë, prandaj nuk kanë mundur t’ia shpëtojnë jetën vajzës pesëvjeçare.

“Ekipi i ekspertëve të pediatrisë në këtë Klinikë mesatarisht trajtojnë 5.000 deri në 6.000 raste me diagnoza deri nga më të rëndat. Ditë e natë mjekët dhe personeli mjekësor janë në shërbim të pacientëve të vegjël dhe e japin maksimumin e tyre që t’u ndihmojnë pacientëve.”, thonë nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve.

Ndërsa drejtori i kësaj klinike, Rexhep Memedi, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit, ka paralajmëruar një pres konferencë rreth kësaj çështjeje për javën e ardhshme. Por, në një postim në fejsbuk, ai thekson se informacionet nga Klinika e Fëmijëve që jepen jooficialisht shpesh kanë tendencë politike dhe nuk e kanë me rëndësi jetën e fëmijëve, por karrigen e drejtorit.

“Në vitet e kaluara, vdekshmëria në Klinikën e Fëmijëve ka qenë deri edhe 3 herë më e lartë në krahasim me këtë vit! Ka pasur mesatarisht deri 9 vdekje në muaj!”, shkruan Memedi në fejsbuk.

Memedi njëherit sqaron se në këto 4 muaj sa ai është drejtor i Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, gjatë skanimit të gjendjes në klinikë ka hasur në shumë probleme të shtresuara me vite të tëra. Disa prej tyre janë defekte me rrezik të lartë, thekson Memedi, sipas të cilit ato janë adresuar me urgjencë dhe tani jemi në fazën e sanimit të tyre.