Ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, në moshën 64 vjeçare ministri i Jashtëm bjellorus, Vladimir Makei.
Shkaqet e vdekjes së ministrit Makei, që qëndronte në krye të diplomacisë bjelloruse që prej vitit 2014, janë ende të paqarta, ndërkohë që mes të gjitha pretendimeve po lakohet gjithnjë e më shumë dhe pista e helmimit.
Kremlini reagoi menjëherë për këtë ngjarje përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Zakharova, e cila u shpreh se Moska ka mbetur e shokuar nga kjo ngjarje, duke shprehur me këtë raste dhe ngushëllimet zyrtare.
Vdekja e Makei pritet të ketë ndikim në luftën në Ukrainë, për shkak të rolit të Bjellorusisë si aleate e Rusisë, nga territori i së cilës nisi dhe ofensiva në muajin shkurt. Të hënën ai kishte parashikuar të kishte një takim me homologun rus, Lavrov.
I pari që foli për një helmim të mundshëm ishte këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Gerashchenko, i cili shton se Makei ishte një ndër zyrtarët e pakët bjellorusë që nuk ishte nën ndikimin e Rusisë. Sipas tij, Makei shihej si një pasues i mundshëm i presidentit Lukashenko.
Ndërkohë që nuk është e të njëjtit mendim opozita bjelloruse. Sipas lideres, Sviatlana Tsikhanouskaya, Makei ishte një tradhtar dhe kështu do të mbetej gjithnjë në kujdesën e popullit bjellorus.
Lajmi i vdekjes së Makeit vjen në të njëjtën ditë në të cilën mediat ukrainase publikuan të dhënat e një qendre studimore amerikane, sipas së cilës Putin po përgatitej për një atentat ndaj Lukashenkos për ta trembur dhe për ta përfshirë zyrtarisht në luftën në Ukrainë.