Boksieri i njohur Paul Bamba, ka vdekur në moshën 35-vjeçare. Njoftimi u dha nga menaxheri i tij, këngëtari Ne-Yo.
Bamba fitoi titullin WBA Gold për kategorinë Cruiserweight pas një fitorje ndaj meksikanit Rogelio Medina më 21 dhjetor.
Menaxheri i tij, Ne-Yo, i cili e kishte nën menaxhim boksierin që nga nënshkrimi i kontratës në nëntor, konfirmoi lajmin në një postim të përbashkët me familjen e Bambës në Instagram.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë vdekjen e djalit të dashur, vëllait, mikut dhe kampionit të boksit Paul Bamba, drita dhe dashuria e të cilit prekën shumë jetë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
“Paul ishte një konkurrues i vendosur dhe i sigurt në vete, me një ambicie të palëkundur për të arritur madhështi. Por, më shumë se çdokush, ai ishte një individ i jashtëzakonshëm që inspiroi shumë njerëz me përkushtimin dhe këmbënguljen e tij”.
Bamba ishte një kampion i pashembullt, duke fituar çdo ndeshje të tij në vitin 2024 me nokaut, me kulmin e suksesit të tij në fitoren për titullin botëror ndaj Medina në New Jersey.
Pas kësaj fitoreje, Bamba publikoi një mesazh motivues në Instagram ku shprehte: “Në këtë vit kam vendosur një qëllim. E kam realizuar atë. Nuk ishte e lehtë, pati shumë pengesa që i përshtata dhe vazhdova rrugën që vendosëm pavarësisht kushteve të vështira.”
Në total, Bamba regjistroi 19 fitore në 22 ndeshje, 18 prej të cilave me nokaut, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Boksieri i njohur Jake Paul, të cilin Bamba kishte sfiduar për një ndeshje të ardhshme, shprehu ngushëllime në X, duke shkruar: “Pusho në paqe, Paul Bamba.”