Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev ka dhënë urdhër për rikthimin e 35 automjeteve në MPB, të cilat ishin shpërndarë në nivele të ndryshme në ekzekutiv. Në mesin e veturave të cilat kërkon ti kthejë ministri i emëruar nga VMRO-DPMNE, janë edhe veturat që përdor sigurimi i kryeministrit teknik, Oliver Spasovski, si dhe një veturë nga presidenca. Nga kabineti i presidentit, Stevo Pendarovski, kanë thënë se janë të habitur dhe nuk i dijnë motivet përse ministri ka kërkuar të tërhiqet vetura e krut më të lartë shtetëror.
Jemi të informuar se ekziston një shkresë interne në MPB, përmes së cilës kërkohet kthimi i një veture të cilën e shfrytëzon presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nuk e dijmë se cili është motivi për këtë shkresë, por rikujtojmë se sigurimi i presidentit është obligim ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në listën e 35 automjeteve të cilat ministri teknik i policisë ka kërkuar të kthehen, ndodhet edhe vetura zyrtare e zëvendës ministres plotësuese, por për këtë të fundit, Çulev tha se nuk ka qenë në dijeni se i takon të njëjtën andaj dhe ka tërhequr kërkesën për atë veturë.