Vendimi gjyqësor për Gruevkin, Pollozhani: Kushtetuta është e qartë

Teksa rrjedhin afatet e parashikuara me ligj që kur gjykatësja, Dobrila Kacarska, ka njoftuar kreun e kuvendit, Talat Xhaferin, dhe ky i fundit më pas komisionin përkatës se dënimi me burg prej 2 viteve për Nikolla Gruevskin është i plotfuqishëm, eksperti juridik, Mersim Pollozhani, thotë se kushtetuta dhe rregullorja është e qartë në këtë drejtim.

Marketing

Në rastin konkret deputetit, Nikolla Gruevski, kuvendi duhet t’i marrë imunitetin që të vuajë dënimin për çka nevojiten 2/3 e votave, pasi që bëhet fjalë për vendim gjyqësor për vuajtje dënimi me kohëzgjatje prej 2 vitesh, sqaron Pollozhani.

“Kur filloi procedura penale kundër tij, ai nuk u thirr në imunitet dhe erdhi puna dhe u zhvillua në këtë fazë ku ai duhet ta vuajë dënimin, gjegjësisht të fillojë me vuajtjen e dënimit, praktikisht në qoftë se Gruevski thirret në imunitetin sipas kushtetutës dhe rregullores, në kapitullin për çështje imunitare, ai mund të thirret në imunitet dhe kjo do të thotë se ai praktikisht nuk mund ta vuajë dënimin. Tani pse ai atëherë nuk është thirrur dhe pse tani thirret, dhe pse këto dilema unë i shoh si një shou pak a shumë politik, propagandistik ku dy palët, kushtimisht të them Gruevski dhe ligji, duken si kontradiktorë, ligji është shumë i qartë”,- tha eksperti juridik, Mersim Pollozhani.

Dënimi me dy vjet burg ka të bëjë me rastin “Tanku” për ndikim antiligjor në blerjen e një makine të blinduar “Mercedes” në vlerë prej 600 mijë euro, hetuar nga Prokuroria Speciale. Avokatët e Gruevskit me arsyetimin se Gruevski ka detyrime si deputet dhe rreth doktoraturës së tij kanë kërkuar për të shtyrë afatin e burgimit. Gjyqtari kompetent nga Gjykata Penale e Shkupit deri të enjten duhet t’i përgjigjet kërkesës së avokatëve për shtyrje të vuajtjes së dënimit. Ndryshe, sipas vendimit gjyqësor, më 8 nëntor, Nikolla Gruevski duhet të paraqitet në burg për ta vuajtur dënimin.

Marketing