Liga e Serisë A ka dalë me një tjetër komunikatë zyrtare pasditen e sotme, ku ka konfirmuar se ndeshja mes Juventusit dhe Napolit do të luhet sipas kalendarit të përcaktuar, duke kompromentuar pozitat e napolitanëve, që vendosën të mos udhëtojnë drejt Torinos.
Në komunikatën e saj, Liga sqaron se Zyrat Shëndetësore Rajonale vetëm sa bëjnë rekomandime që lojtarët me kontakte me personat e infektuar të vendosen në vet-izolim për 14 ditë, ndërsa në rastin konkret veprohet sipas protokollit të miratuar.
“Duhet të kujtojmë që shkresa e ASL-së (Zyra Shëndetësore Rajonale) së Kampanjës ka karakter sugjerues për vendosjen në izolim të lojtarëve që kanë pasur kontakt me një person pozitiv, në rastin konkret me Piotr Zielinskin Megjithatë shkresa e ASL-së nuk ndalon udhëtimin e futbollistëve, pasi protokolli e përcakton qartë dhe kështu kemi vepruar edhe më herët në rastin e Genoas, Torinos, Milanit apo edhe Atalantës që luajti sot ndaj Cagliarit. Thënë këtë, ndeshja e sotme nuk do të shtyhet, por do të luhet sipas orarit të përcaktuar më herët”, thuhet në komunikatën e Ligës së Serisë A.
Duke qenë se Napoli nuk ka udhëtuar drejt Torinos, në mbrëmje pritet që në fushë të dalin vetëm lojtarët e Juventusit dhe arbitrat, të cilët duhet të presin 45 minuta sipas rregullores dhe më pas të marrin fitoren në tavolinë me rezultatin 3-0.
Ndërkohë drejtuesit e Napolit kanë njoftuar të gjithë përfaqësueset se nuk do të lejojnë asnjë prej lojtarëve të tyre që të udhëtojnë gjatë kësaj periudhe, pasi të gjithë do të futen në karantinë për 14 ditë në qendrën stërvitore të klubit.
Paralelisht, presidenti De Laurentiis dhe avokatët e Napolit do të duhet të gjejnë argumentet e duhur për të apeluar humbjen në tavolinë, që do të bëhet fakt sonte në mbrëmje.