Vendkalimi Strezimir-Restelicë prej sot deri më 20 gusht është vënë në funksion

Vendkalimi kufitar Strezimir – Restelicë në kufirin Maqedoni – Kosovë në malin Korab sot dhe në dy ditët e ardhshme është lëshuar për kalim me letërnjoftim ose dokument udhëtimi, informuan nga Komuna e Mavrovës dhe Rostushës.

Marketing

“Të gjithë ata të cilët kanë dëshirë ta vizitojnë Restelicën, Dragashin, Brodin ose ndonjë vendbanim ku jetojnë qytetarët tanë, mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Ne si komunë do të vazhdojmë me lobim aktiv për funksionim të vazhdueshëm të këtij vendkalimi si dhe për sigurimin e kushteve normale gjegjësisht asfaltimin e rrugës deri te vendkalimi”, deklaroi Fikret Ibraimi, zëdhënës i Komunës.

Me angazhimin e kryetarit të Mavrovës dhe Rostushës, Medat Kurtovski, vendkalimi i cili një kohë të gjatë nuk funksionon fare, gjatë këtyre tre ditëve do të punojë nga ora 8 deri në orën 24 dhe nga sot e deri më 20 gusht mund të kalohet me letërnjoftim ose dokument udhëtimi, për dallim prej më parë kur nevojitej edhe leje e veçantë.

Ky vendkalim si i përkohshëm zyrtarisht funksionoi në gusht të vitit 2003 dhe shfrytëzohej nga marsi deri në tetor nga ora 7 deri në orën 19. Shoqatat e maqedonasve nga rajoni Gora pas disa viteve kërkuan që vendkalimi të ketë regjim të përhershëm kufitar, që nënkupton të jetë i hapur 24 orë dhe të mund të kalojë secili. Ata në kërkesat theksuan se në hapjen e vendkalimit nga Gora shohin shpresë për bashkëpunim ekonomik dhe mbijetesën e tyre.

Përmes këtij vendkalimi, i cili gjendet në malin Korab në trekëndëshin ndërmjet Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, mund të kalonin vetëm banorët e rripit kufitar prej 25 kilometrave, edhe atë me leje të veçanta.

Në rajonin Gora të Kosovës gjenden 18 fshatra, të banuar me maqedonas me përkatësi fetare myslimane, të njohur si goran.

Marketing