Vepra e Jusuf Buxovit sfidon makinerinë e deformimit të hostoriografisë

Historiografia e ashtuquajtur zyrtare, tha Buxhovi, ka bërë gabime metodologjike dhe parimore kur është përcaktuar për një histori të cunguar të shqiptarëve , me ç’rast ka ndodhur stërkeqja shkencore e politike e historisë, ku Maqedonia padrejtësisht është hequr tërësisht nga historia e përbashkët e shqiptarëve

Marketing

Shkup, 22 tetor – Sot në ITSHKSH u promovua vepra ”Maqedonia nga antika deri te koha jonë” e autorit Jusuf Buxhovi, ku të pranishëm, përpos studiuesve e dashamirëve të librit, ishte edhe botuesi nga SHBA, Ramiz Tafilaj si dhe donator dhe botuesi Milaim Abdullahu. Me këtë rast drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, vuri në dukje se historiografia shqiptare po pasurohet me një horizont të ri pikëpamjesh mbi konceptimin e tërësisë territoriale iliro-arbërore-shqiptare, që nga antika e deri te Ipeshkvia Shkup-Prizren. Maqedonia antike ishte një nga nyjat kryesore që dëshmon qenësinë e elementit shqiptar, kurse vepra e Buxhovit e argumenton këtë me një pasuri referencash shkencore, kryesisht të autorëve të huaj. Sipas Dr. Asanit qasja e historianëve duhet të ketë si udhërrëfim parimin e shtrirjes horiozontale të elementit shqiptar, e jo të bëhen peng i pikëpamjeve të ngushta politike. Në këtë drejtim Jusuf Buxhovi ka vepruar drejt tejkalimit të kallëpeve që imponon e ashtuquajtura historiografi zyrtare dhe ka dalur në treg me ide të guximshme, të cilat mund të kontestohen ose të mbështeten, varësisht nga dioptria e këndvështrimit.
Infrastruktura e falsifikimit sllav ka qenë shumë aktive dhe kjo ka ndikuar që vlerësimi mbi proceset e ngjarjet historike të mos përkojnë fare me faktografinë shkencore, tha Jusuf Buxhovi, i cili duke u ndërlidhur me promovimin e librit të tij ”Maqedonia nga antika deri te koha jonë” tha se fatkeqësisht jo pak autorë shqiptarë kanë rënë në grackën e kësaj makinerie falsifikimi. Kjo, sipas Buxhovit, ka ndodhur si pasojë e mungesës së një vlerësimi institucional, ku historianët shqiptarë kanë rënë në dy kurthe: në kurthin idiologjik dhe në kurthin e diktatit serbomadh. Historiografia e ashtuquajtur zyrtare, tha Buxhovi, ka bërë gabime metodologjike dhe parimore kur është përcaktuar për një histori të cunguar të shqiptarëve , me ç’rast ka ndodhur stërkeqja shkencore e politike e historisë, ku Maqedonia padrejtësisht është hequr tërësisht nga historia e përbashkët e shqiptarëve. Ky, sipas Buxhovit, është një krim historik dhe neve si historian objektiv na takon ta themi të vërtetën, sepse Maqedonia i takonte botës ilire, kurse Shkupi ishte kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve. Historia shqiptare pa Maqedoninë, pa Epirin dhe pa Dardaninë është histori koti, tha Jusuf Buxhovi dhe vuri në duke se historiografia shqiptare duhet të lirohet, përpos nga diktati ideologjik, edhe nga diktati serbomadh. Për pasojë, ka ndodhur një shtrembërim i qëllimshëm i tezave mbi gjoja ekzistimin e shtetit mesjetar serb. Buxhovi u shpreh se nuk ka pasur shtet mesjetar serb, kurse i ashtuqujaturi “Zakonik Cara Dusana” është sajuar në shek. 19 dhe nuk është e vërtetë se ky dokument shpreh të vërtetën mbi ekzistimin e të ashtuqajturut shtet mesjeter serb, pasi që në të gjitha burimet e autorëve bizantinë askund nuk përmendet elementi serb, por vetëm elementi tribal , kurse në vend të shtetit mesjetar serb, përmendet Rashka. Prandaj, tha Buxhovi, është mirë që historiografia shqiptare të lirohet nga këndvëshrtimi ideologjik dhe të shërbehet me referenca valide shkencore të cilat rrëzojnë përtokë kullën prej kartoni të falsifikimeve serbe.

Duke folur për veprën ”Maqedonia nga antika deri te koha jonë” e autorit Jusuf Buxhovi, Dr. Besnik Rameti , shef i departamentit të historisë në ITSHKSH nënizoi se për Maqedoninë antike autori mbështetetet tek veprat e autorëve antik si Homeri, Tukididi, Herodoti, Apiani, Polibi, Straboni, tek autorët mesjetar dhe tek Rilindasit tanë kombëtar.

“Autori Prof. Jusuf Buxhovi në veprën “Maqedonia nga Antika deri te koha jonë” e ndanë në pesë pjesë. Në pjesa e parë fletë për antikitetin dhe lashtësin e Maqedonisë, ndërsa në pjesën e dytë Buxhovi shkruan për Mesjetën, në pjesën tretë – për Perandorinë Osmane, në pjesën e katërt shkruan për coptimin e Shqipërisë, ndërsa në pjesën e pestë për rikthimin e Jugosllavisë në Maqedoni. Është me interes të veçantë se si prof. Buxhovi në këtë vepër shkencore përmblodhi dokumente, fakte dhe dëshmi historike nga antikiteti për Maqedoninë deri te koha jonë”, tha Dr. Rameti.

Publicisti dhe studiuesi Emin Azemi vlerësoi se vepra historiografike e Jusuf Buxhovit ka hapur mundësi të shumta për debate e polemika, mirëpo ai kërkoi që paraprakisht duhet lexuar dhe studiuar kjo vepër, sepse ndodhë që individë të ndryshëm pa e lexuar dhe për motive krejt subjektive janë të prirur ta etiketojnë autorin dhe veprën e tij. Sipas Azemit, shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës Jusuf Buxhovit që me veprën e tij voluminoze ka ngritur një mal argumentesh kundër makinerisë së deformimit të historiografisë, ku shqiptarët vazhdimisht kanë qenë viktimë e një dioptrie të gabuar që kanë pasur të tjerët.

Edhe Dr. Ylber Sela, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve ishte i mendimit se Jusuf Buxhovi para lexuesve por paraqitet me një vepër të rëndësishme e cila kërkon qasje serioze, sepse përpos fuqisë argumentuese, ofron edhe një regjistër të gjatë referencash shkencore, që e bëjnë këtë vepër të jetë rezistuese ndaj çfarëdo lloj kritike dhe paragjykimi.