Veriu në duart e grupeve kriminale të Serbisë

7 vite më parë, në përpjekje për të shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ishin nisur drejt pikave kufitare 1 dhe 31, në veri të Mitrovicës.
Gjatë rrugëtimit, pjesëtarët e Policisë kishin hasur në disa barrikada të vendosura nga serbët.

Marketing

Në zonën ndërmjet fshatit të Varage dhe atij të Zupçit, konvoji i Policisë së Kosovës kishte hasur në pengesën e dytë. Me ç`rast serbët e armatosur në përleshje me pjesëtarët e njësisë ROSU morën jetën e policit Enver Zymberi.

Prokuroria përcaktoi se një plumb kishte qëlluar në fytyrë oficerin Enver Zymberi, anëtar i ROSU-së, i cili po e voziste makinën e dytë të konvojit të Policisë së Kosovës.

Por, 7 vite pas aksionit të Policisë së Kosovës dhe vrasjes së policit Enver Zymberit, gjendja në veri nuk ka ndryshuar. Shtrirja e sovranitetit në atë pjesë ende nuk është arritur.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, njeherit nënkryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka thënë për “Bota sot” se kontrolli i Serbisë në Kosovë është ligjësuar me Marrëveshjen e Prillit të vitit 2013, ku edhe u themelua regjioni etnik Brenda Policisë së Kosovës.

“Qëllimi i aksionit 2011 u pa qartë edhe në Marrëveshjen e Prillit 2013. Njësitë Speciale të Policisë u vunë në kurth të negociatave me Serbinë dhe si pasoje kemi rënien e Oficerit të Policisë së Kosovës Enver Zymberi në krye të detyrës. Tani edhe 7 vite pas rënies se Enverit dhe 5 vite nga Marrëveshja e Prillit, Kosova ka ecur në drejtimin e gabuar. Në vend që të kthehej kontrolli i shtetit edhe në veri, ky kontroll iu la dorë grupeve kriminale të Serbisë në Kosove . Ky kontroll i Serbisë në Kosovë është ligjësuar me Marrëveshjen e Prillit 2013 ku është themeluar edhe regjioni etnik brenda Policisë së Kosovës i udhëhequr gjithmonë nga Komandanti i emëruar nga Serbia” ka përfunduar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Veriu-zonë krimi, kushdo që bënë kompromise me territor të jap përgjegjësi para popullit dhe historisë

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu në një bisede për “Bota sot” ka thënë se lidhur me aksioni e vitit 2011 , duhet pyetur ata të cilët dërguan policët tanë pa paralajmërim dhe pa ndonjë plan strategjik në “gojën e ujkut”, me ç`rast humbëm edhe një pjesëtar të forcave tona policore.

Tuje, Sejdiu ka theksuar se veriu po mbetet zonë krimi e dorës së zgjatur të Serbisë, por pjesërisht edhe të grupeve të ndryshme kriminale që veprojnë atje.

“Gjendja në katër komunat veriore të Kosovës mbetet simbol i dështimit të institucioneve të Republikës së Kosovës për të shtrirë pushtetin e plotë. Pra, mbetet zonë krimi, pjesërisht e dorës së zgjatur të Serbisë, por pjesërisht edhe të grupeve të ndryshme kriminale që veprojnë atje. Përkundër marrjes nën kontroll të pikave kufitare, ky kontroll modest mbetet peng i këtyre kriminelëve që ushtrojnë pushtetin faktik në këtë pjesë të vendit. Sa i përket qëllimit të aksionit të vitit 2011, ende mbetet i paqartë. Pra, lidhur me qëllimin dhe përgjegjësinë, duhet pyetur ata të cilët dërguan policët tanë pa paralajmërim dhe pa ndonjë plan strategjik në “gojën e ujkut”, me që rast humbëm edhe një pjesëtar të forcave tona policore” ka thënë ai.

Deputeti Korab Sejdiu, ka shtuar se, qytetarët e Kosovës mbesin këmbëngulës që të mos diskutohet për ndonjë copitim të Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Rrezikimi i një pjese të konsiderueshme të territorit të Kosovës në kuadër të bisedimeve me Serbinë varet shumë nga ajo se kush na përfaqëson neve. Qytetarët e Kosovës, por edhe pjesa dërmuese e përfaqësuesve të tyre, mbesin këmbëngulës që në asnjë rrethanë të mos diskutohet për ndonjë copëtim të mëtutjeshëm të Kosovës. Kushdo që guxon të lëshohet në ato tema, do të jep përgjegjësinë më të lartë para popullit dhe historisë” , ka përfunduar deputeti Korab Sejdiu.

Akti i ndarjes së vendit, ka gjasa të mëdha të nxit konflikte të armatosura mes grupeve

Armend Halimi, Drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime të Sigurisë ISS, ka thënë për “Bota sot” se aksioni i viti 2011 ka pasur të metat e saja në planin operativ ku siç dihet shumë nga zyrtarët policor nuk kanë pasur të qarte planin e rrugëtimit e për pasoje kanë hasur në bllokada.

Gjithashtu, Halimi ka theksuar se, futja nën kontroll e asaj pjese do të ishte më e qëlluar mirëpo gjithmonë me prezencë më të madhe të zyrtarëve policor.

“Deri në vitin 2011, përkatësisht para se të jetë ndërmarr aksioni në fjalë, për veç zonës në brendësi, edhe pikat kufitare të asaj pjese ishin jashtë kontrollit institucional të Republikës së Kosovës, prandaj, edhe pse fatkeqësisht ky aksion kushtoj me jetën e një polici, kishte shënuar rezultat, pra në marrjen në kontroll të vendkalimeve kufitare, duke reduktuar në masë edhe veprimtaritë ilegale apo kriminale të kontrabandës. Megjithatë, gjendja brenda asaj zone nuk është përmirësuar në shkallën e pritur për faktin se ende qytetarët shqiptarë të asaj pjese nuk kane sigurinë e kthimit në pronat e tyre, apo lëvizin lirshëm. Aksioni në fjalë me siguri që ka pasur të metat e saja në planin operativ, ku siç edhe ka pasur informata, ndoshta për shkak të parimit të fshehtësisë, shumë nga zyrtarët policor nuk kanë pasur të qartë as planin e as zgjedhjen e rrugëtimit, për pasoj edhe kanë hasur në bllokada befasuese nga serbët e organizuar në pritë. Ndërsa, sa i përket aspektit strategjik, futja nën kontroll të asaj pjese, do ishte me e qëlluar atëherë dhe tani me prezencë më të madhe të zyrtarëve policor të rendit në brendësi të qytetit, sesa aksion spektakolar të njësive speciale, ngase me pak janë të pranishëm duke nxitur në të njëjtën kohë edhe kundër reagim apo rezistence” ka thënë ai

Gjithashtu, magjistri i sigurisë ka shtuar se ndarja e territorit mund të nxit konflikte të armatosura mes grupeve, duke qenë model konflikti në lindjen e mesme, paraprakisht zonat mes Palestinës dhe Izraelit.

“Ndryshe, sa për rrezikun për ndarje, mënyra e dialogimit dhe paralajmërimet indirekte, japin indikacione shqetësuese. Kjo nuk është e qartë a është nga një presion i heshtur ndërkombëtar, apo iniciativa vetanake e dialogueseve për marrjen e bonuseve apo simpatisë karshi diplomacisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, një gjë e tillë nuk do duhej të guxoj të ndodh, sikur të kenë të qartë sanksionimi që bënë Kodi Penal i Republikës së Kosovës me rastin e pranimit të ndarjes së territorit apo lënies nën kontroll të një pjesë të vendit nën administrimin e një vendi tjetër. Fare në fund, duke qenë të freskëta shqetësimet e qytetarëve me rastin e demarkacionit me Malin e Zi, një akt i ndarjes së vendit me favor të Serbisë, ka gjasa të mëdha të nxit edhe konflikte të armatosura mes grupeve, duke qenë model i një konflikti si në lindjen e mesme, konkretisht zonat kontestuese mes Palestinës dhe Izraelit” ka përfunduar Armend Halimi.

Aksioni i vitit 2011- dështim, udhëheqësit të japin llogari

Eksperti i sigurisë në Kosovë, Hajrullah Ternava, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se intervenimi i ROSU-t ishte tërësisht i pasuksesshëm, ku ata edhe u kthyen mbrapa mbas vrasjes së policit Enver Zymberit.

“Gjendja në veri tash e një kohë të gjatë është e pandryshuar. Edhe para 7 viteve kur intervenoj ROSU në pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak, nuk u arrite asnjë efekt pozitiv, në të kundërtën ky intervenim ishte në tërësi i pasuksesshëm, dhe si i tille forcat ROSU kokulur u kthyen mbrapa mbas vrasjes së policit Enver Zymberit. Ky intervenim ishte jo mirë i studiuar dhe jo mirë i planifikuar dhe pa qëllime të qarta dhe strikte për intervenim. Në esencë qellmi i këtij njësiti ROSU ishte që të vënë rend dhe ligjshmëri në veri të Mitrovicës dhe komuna tjera deri në kufi në Jarinje e Bernjak, sikur në komunat tjera në tërë Kosovën. Por një intervenim inert jo mirë i organizuar, pa qëllime të qarta, e kuptueshme është se do të dështoj, sikur që ndodhi ky dështim” ka thënë ai

Tutje eksperti i sigurisë ka theksuar se kontrollimi i pjesës veriore mund të jetë edhe si kompromis për njehjen reciproke Kosovë-Serbi.

“E mira e të mirës për në preventivë për të ardhmen, kishte me qenë që për këtë intervenim të dështuar, ata eprorë dhe udhëheqës të japin llogari të gjithë që kanë dështuar në këtë intervenim, që në të ardhmen mos të ndodhin dështime të tjera që si rezultat i këtij dështimi u vra polici Enver Zymberi e që deri me tani nuk është zbardhur rasti i kësaj vrasje. Ky dështim i këtij intervenimi, i ka ndihmua rrezikimit të veriut tash e sa vite, e sidomos situatës në të cilën gjendet tash e nga lufta veriu, për dialogun që po udhëhiqet, e që po rrezikohet si asociacion jashtë kushtetutës së Kosovës apo edhe si kompromis për njohjen reciproke Serbi-Kosovë” ka përfunduar Hajrullah Ternava.