Europol ka informuar se gjatë një operacioni ndërkombëtar kundër trafikantëve të drogës, janë arrestuar 45 persona. Europol tha se ky operacion ishte “goditje ndaj kriminelëve shqipfolës që kanë vërshuar Evropën me kokainë”.
Sot, Eurojust dhe Europol mbështetën një sërë aksionesh të kryera në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë të cilave u kontrolluan mbi 80 vende dhe u arrestuan 45 të dyshuar.
Të dyshuarit, dyshohet se importonin kokainë nga Amerika Latine në porte të ndryshme evropiane, duke organizuar transportin nëpërmjet avionëve, anijeve, makinave dhe kamionëve dhe drejtonin tregtinë me shumicë. Spanja dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së u përdorën për të fshehur aktivitetin e tyre.
Në aksion janë përfshirë mbi 600 oficerë të zbatimit të ligjit në bashkëpunim të ngushtë me prokurorët dhe oficerët hetues kryen bastisje ndaj anëtarëve të këtij rrjeti në Spanjë dhe Belgjikë. Një sërë aksionesh paralele u zhvilluan edhe në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.
Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë kishte krijuar një sërë ndërmarrjesh në vende të ndryshme për të pastruar fitimet, duke përfshirë Kroacinë dhe Spanjën. Anëtarët e saj udhëtonin rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të rregulluar biznesin e tyre të paligjshëm dhe përdorën mjete komunikimi të koduara për të koordinuar.