Veseli: Lec Gradica, mjeku i plagëve të lirisë

Në Gradicë të Drenasit, është përkujtuar sot mjeku i UÇK-së, Lec Gradica, në 20-vjetorin e rënies së tij.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë në këtë manifestim se doktor Leci ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së lirisë, duke u bërë kështu mjeku i plagëve të lirisë dhe në fund, dëshmor i saj.

Marketing

Veseli tha se Gradica është vend ku brez pas brezi janë nderuar kombi dhe atdheu.

“Kjo është vendlindja e Tahir Gradicës, që mbrojti nderin e vajzave të Drenicës nga Jashar Pasha. Është vendlindja e Lec Gradicës, trimit që luftoi kundër serbëve e bullgarëve, bashkë me Azem Bejtën. Është vendlindja e Mehmet Gradicës, prijësit të luftës së Drenicës kundër komunizmit. Është vendlindja e djaloshit trim Rrustem Gradicës, që ra heroikisht në vitet e rënda të Rankoviqit. Është vendlindja e dëshmorëve të UÇK-së, vëllezërve Fazliu, Asllanit, Mehdiut, Milazimit. Është vendlindja e doktor Lecit, mjekut legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se të gjithë dëshmorët e lirisë janë të njëjtë, sepse të njëjtë e kanë idealin për të cilin ata kanë dhënë jetën. Por, shtoi ai, kur ne mesin e tyre ka mjekë dëshmorë, kjo fiton një dimension të veçantë.

Kreu i Kuvendit kujtoi ofensivën armike të shtatorit 1998, kur mbi 20 mijë ushtarë serbë, nga 6 drejtime e sulmuan Çiçavicën, duke menduar t’i jepnin një goditje përfundimtare Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Drenicës.

“Në ato ditë të rënda, doktor Lecin e gjejmë aty ku e thërriste atdheu dhe ndërgjegjja e tij prej humansti. Në mesin e të plagosurve, ushtarë e civilë.

Ai largohej i fundit, pasi ishin siguruar të plagosurit. Ai dha jetën e tij për t’i shpëtuar ata. Ai dha jetën që të tjerët të vazhdojnë luftën, deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Dhe ëndrra e tij u bë realitet. Sot ne jemi këtu për të nderuar kujtimin e tij, për të nderuar veprën e tij, që paraqet shembull më sublim se si jetohet dhe punohet për atdheun”, tha kryeparlamentari Veseli.

Marketing