Vetëm 13 vjeç ka qenë pacientja më e re që i është bërë abort në Maqedoni

Vetëm 13 vjeç ka qenë pacientja më e re që vitin e kaluar iu bë abort në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup.

Marketing

Sipas të dhënave nga Shoqata Maqedonase e Gjinekologëve dhe Obstetërve, në vitin 2023 ka pasur rreth tre herë e gjysmë më shumë aborte në krahasim me vitin 2020 në të njëjtën klinikë. Gjatë katër viteve, në këtë Klinikë janë kryer gjithsej 2.626 aborte, dhe numri është rritur çdo vit nga viti 2020 deri në vitin 2023. Në vitin 2020 janë kryer 324 aborte, në vitin 2021 kishte 554, në vitin 2022 kishte 615, ndërsa vitin e kaluar janë kryer 1.133 aborte.

Sipas raportit të shërbimeve për mbrojtjen shëndetësore të nënave dhe fëmijëve për vitin 2021, gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 20 foshnja të lindura të gjalla nga nëna nën 15 vjeç dhe 791 foshnja të lindura të gjalla dhe 5 të vdekura nga nëna të moshës 15 deri në 19 vjeç.

Në vitin 2023, Zyra e UNICEF-it në vend, në bashkëpunim me partnerët kombëtarë, filloi krijimin e një baze të dhënash për fëmijët me qëllim zhvillimin e një profili demografik të popullatës fëmijërore në Maqedoni. Sipas bazës së të dhënave, në grupin e adoleshenteve të moshës 15-19 vjeç, në kuadër të Regjistrimit, 1.000 vajza kanë deklaruar se kanë lindur një ose më shumë fëmijë.
“Niveli i lindjeve te adoleshentet është 20 lindje (19,7) për 1.000 vajza të moshës 15-19 vjeç. Nëse rezultatet i krahasojmë me Anketën Multiindikatorike të Cluster (MICS), e cila u krye në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitet 2018 dhe 2019, në një mostër prej më shumë se 4.000 familjesh, ka një ulje të vogël të nivelit të lindjeve te adoleshentet, nga 21 në 20,” thuhet në publikim.