Bill Gates, themeluesi i Microsoft-it, që i paralajmëroi liderat e botës të përgatiteshin për një situatë pandemie që në 2015-ën, ka nxjerrë së fundmi një plan që mund të ndihmojë SHBA-në dhe jo vetëm për ta fituar luftën kundër koronavirusit.
Gjatë rekomandimeve të tij për Washington Post, Gates theksoi se është shumë e rëndësishme të merren vendimet e sakta, pasi ato ndikojnë në reduktimin e përhapjes së Codiv-19 dhe ekonominë e botës.
Sipas tij, hapi i parë është “qasja e qëndrueshme ndërkombëtare” ndaj shtetrrethimeve. Gates u shpreh se izolimi është i rëndësishem dhe fakti që në disa shtete nuk ka akoma një shtetrrethim të plotë përbën kërcënim.
“Nëse njerëzit udhëtojnë të lirë, ashtu do të bëjë dhe virusi. Liderat e botës duhet të jenë të qartë dhe të prerë. Izolim gjithandej do të thotë izolim gjithandej. Derisa në Amerikë vendi i të prekurve të ulet, që do të duhen më shumë se 10 javë, askush s’mund të vazhdojë biznesin si zakonisht apo i qetë. E gjithë kjo zgjatje dhe konfuzion vetëm do ta zgjerojë dhimbjen ekonomike, do të bëjë që virusi të kthehet dhe do të shkaktojë më shumë vdekje.”
Hapi i dytë shumë i rëndësishëm sipas tij janë testimet dhe rishikimi me kujdes i tyre. Qeveritë duhet të kenë një plan të qartë në lidhje me prioritetin e testeve. Kush do të testohet fillimisht? Ata që kanë më shumë shanse të jetë prekur nga koronavirusi, siç janë personeli mjekësor apo kontaktet e afërta me të prekurin. Më pas, sipas tij duhen testuar njerëzit që shfaqin simptoma dhe ata që janë më të rrezikuar se të tjerët për shkak të sëmundjeve kronike.
Si hap final, filantropisti i famshëm paralajmëroi liderat të marrin të dhëna të sakta për zhvillimin e trajtimit të virusit dhe një vaksine, pasi nuk ndihmojnë duke “bërë thashetheme” apo duke “përhapur panik”.
“Unë ende vazhdoj të besoj që nëse ne marrin tani vendimet e duhura, të informuar nga shkenca, të dhënat dhe eksperienca e mjekëve mund të shpëtojmë shumë jetë dhe të bëjmë që vendi t’i kthehet punës.”- përfundoi Gates.