“Vetëm ne e kuptojmë këtë dhimbje”! Familjarët e viktimave të aksidentit në Bullgari solidarizohen me Koçanin

Me zemra të thyera dhe me dhimbje ende të freskët, familjarët e viktimave të aksidentit në Bullgari ku humbën jetën 45 persona, tragjedi e cila ndodhi para 3 vitesh, shprehën mbështetjen dhe ngushëllimet e tyre për prindërit nga Koçani që sot e ndjenë në lëkuren tyre humbjen e 59 të rinjve.

Me fjalë të mbushura me trishtim e dhimbje të njohur vetëm prej atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre, iu janë drejtuar familjeve të viktimave me një mesazh të thellë ngushëllimi dhe solidariteti.

“Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, vetëm ne mund t’a kuptojmë dhimbjen e tyre. Ne kërkojmë nga institucionet përkatëse që ky rast deri ne fund të ndriçohet, ndërsa rastet e mëparshme si rasti në Bullgari me 45 viktima, spitali modular në Tetovë, rasti në Llaskarcë, te rigjykohen dhe të gjithë ata që janë të involvuar të marrin dënimet e merituara. Si ka mundësi kompania “Besa Trans’’ e cila i dogji për së gjalli 45 persona përfshirë këtu vajzën time 14 vjeçare dhe bashkëshorten 37 vjecare, duke u ditur botërisht se ishte me licenca te falsifikuara duke kaluar kufirin dhjetëra here”, tha Naser Iseni.

Ai kërkon përgjegjësi nga Ministria e Brendshme, Ministria e Transportit dhe Drejtoria e Doganave, që të gjitha rastet tragjike të rigjykohen dhe të marrin dënimet e merituara.
Përndryshe të gjitha rastet tragjike të dekadës së fundit si aksidenti në Llaskarcë, spitali modular në Tetovë, tragjedia e aksidentit “BESA TRANS”, janë akoma pa epilog konkret.

Marketing