Vetëvendosje: Marrëveshja e Uashingtonit shkel Kushtetutën

Lëvizja Vetëvendosje e kritikoi marrëveshjen për normalizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Uashington, duke thënë se disa nga pikat e saj janë “gabim” dhe “shkelin Kushtetutën e Kosovës”.

Marketing

Marrëveshja u nënshkrua më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa i pranishëm ishte edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Zyrtarë të Vetëvendosjes u ndalen kryesisht në pikën 7 të marrëveshjes, ku Kosova dhe Serbia pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit.

Ky liqen është furnizues jetik i ujit dhe energjisë në Kosovë.

Pjesa më e madhe e tij, përkatësisht 70 për qind, ndodhet në territorin e Kosovës, ndërsa 30 për qind në territorin e Serbisë.

“Për herë të parë, një kryeministër i papërgjegjshëm u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë. Resureset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Këtë e përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës”, tha Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media në Prishtinë.

“Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë, ai e bën një krim të madh”, tha ai.

Albulena Haxhiu, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se në pikën 7 të marrëveshjes përmendet termi “ndarje” për Liqenin e Ujmanit.

“Termi ndarje që është përdorur në këtë marrëveshje ka kuptimin e pjesëmarrjes së Serbisë në pronësinë, kontrollin dhe menaxhimin e një pjese të këtij liqeni”, tha Haxhiu.

Sipas saj, kjo pikë e marrëveshjes është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht me nenin dy, paragrafin dy.

Konjufca po ashtu tha se marrëveshja e Uashingtonit përmban pika, që, sipas tij, i ka shtyrë përpara presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Përse Qeveria e Kosovës pranon që të pezullohen përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare? Ky është një lëshim i madh. Neni 17, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës thotë se Kosova anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Nënshkrimi i Hotit e shkel Kushtetutën e Kosovës”, tha Konjufca.

Në pikën e 15-të të marrëveshjes thuhet se Kosova pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi kërkesat e saj për anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia, në këmbim, do të zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje të Kosovës.

Në një pikë të marrëveshjes, Kosova po ashtu dakordohet t’i bashkohet zonës së mini-Shengenit, një nismë kjo për bashkëpunim ekonomik rajonal, që është shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në tetor të vitit të kaluar.

Atëbotë, Kosova e ka kundërshtuar pjesëmarrjen në të.

“Gatishmëria e kryeministrit Hoti që të hyjë në zonën e lirë ekonomike, të propozuar nga Serbia, është po ashtu një gabim i madh”, tha Konjufca, për të shtuar se është “ëndërr e Serbisë për ta hequr kufirin mes Kosovës dhe Serbisë pa e njohur Kosovën”.

Konjufca po ashtu paralajmëroi hapa për mocion për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.