Vetëvendosje mban “provën” e protestës në Prishtinë

Në Prishtinë ka nisur një tubim, që është cilësuar nga organizatorët si “provë për protestë” në kohën e pandemisë së koronavirusit. Ky tubim është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Marketing

Qytetarët janë mbledhur në sheshet e Prishtinës, në kohën kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit.

Vetëvendosja e Kurtit, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe është shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas pandemisë. Ndërkaq, Thaçi ka thënë se askush nuk ka të drejtë, siç është shprehur ai, të “uzurpojë” pushtetin me metoda jodemokratike.
Më 19 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.

Sipas kësaj Gjykate, këta zyrtarë duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.