Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se me urdhër të kryetarit Ali Ahmeti, kanë nisur procesin e gjithanshëm të reformave dhe vetingu brenda partisë. Nënkryetari i kësaj partie, Arbër Ademi në deklaratë për TV21 tha se procesi do të jetë transparent, ndërkaq thekson se janë konsultuar dhe po konsultohen me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas për të njëjtin.
“Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet themelore të Bashkimit Demokratik për integrim dhe sigurisht që edhe ky proces do të jetë transparent dhe do t’i japim llogari opinionit për çdo hap e çdo veprim të cilin do e ndërmarrim. Ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë sigurisht se janë konsultuar, po konsultohen edhe tani dhe do të konsultohen edhe në të ardhmen, në bashkëpunim me Sekretariatin për Jurisprudencë, për drejtësi brenda BDI-së, të cilët do të jenë pjesë aktive e këtij procesi”, tha Ademi.