Vetizolimi, personat s’japin kontakte të sakta

Çdo ditë shërbimi postar kthen mbrapsht vendime për izolim, ta cilat duhet t’i marrin qytetarët që duhet t’i nënshtrohen një mase të tillë. Drejtorja e Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor, thotë se një përqindje e caktuar e qytetarëve vazhdon të japë të dhëna të pasakta. Megjithatë publikimi i emrave të personave që nuk japin adresa të sakta të banimit, ndikon pozitivisht në vetëdijesimin e tyre, duke e ulur numrin e personave të papërgjegjshëm nga 450 në 138. Shumica e rasteve të tilla janë regjistruar në Shkup.

Marketing

Gjatë ditëve të kaluara në mënyrë intensive në adresën e Inspektoratit Sanitar mbërrijnë dhjetëra kërkesa të qytetarëve të cilët për arsye të caktuara nuk kanë arritur të marrin vendimet. Kjo nga ana e Inspektoratit shihet si efekt pozitiv, sepse qytetarët që kanë dhënë adresë të gabuar për arsyet që ata vet i dinë, tani lajmërohen që të pranojnë vendimet për izolim- deklaroi Irina Buhova- Inspektorati Sanitar.

Sociologu Ali Pajaziti, thotë se në popullatë ende qarkullon mendimi absurd se nëse ndonjë person i infektuar me COVID-19 shkon në spital, nuk kthehet më i gjallë.

Nga njëra anë shprehin mosbesim në institucionet e shtetit, duke pasur parasysh historinë dhe distancën që kanë pasur në veçanti shqiptarët viz-a-vi shtetit, të cilin e kanë konsideruar si tjetri, dhe e kanë konsideruar si një “kundërshtar” të etnitetit shqiptarë. E dyta është mungesa e perceptimit të shëndoshë të realitetit. Qytetarët e Maqedonisë ende jetojnë me frikën se ka një komplot këtu dhe se dikush tenton t’i dëmtojë qytetarët në emër të politikave shumë të largëta që nuk ka të bëjë fare me realitetin- pohoi Ali Pajaziti- Sociolog.

Numri i përgjithshëm i personave në izolim që nga fillimi i pandemisë është 7286 persona, ndërsa në vetë izolim në vendin tonë ndodhen 2,813 persona.