Njëri prej dy të arrestuarve në Turqi, i akuzuar si spijun i Emirateve të Bashkuara Arabe, është vetvrarë në burg, ka deklaruar të hënën një zyrtar i ministrisë turke të Drejtësisë.
Dy të dyshimtit ishin arrestuar më 19 prill dhe kishin pranuar se i kishin spiunuar shtetasit arabë, kishte thënë asokohe një zyrtar i lartë i Turqisë. Turqia është duke hetuar nëse ardhja në shtet e njërit prej tyre kishte lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, raporton “Reuters”.
Njëri prej dy të arrestuarve kishte ardhur në Turqi gjatë tetorit të 2018-tës, disa ditë pasi që Khashoggi u vra brenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, kishte thënë zyrtari pas arrestimit të tyre, duke shtuar se tjetri kishte ardhur më vonë, për ta ndihmuar kolegun e tij.
Dy të arrestuarit ishin akuzuar për spiunazh ndërkombëtar, politik dhe ushtarak, duke u dërguar në burgun e Silivrit, në perëndim të Stambollit, sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve, “Anadolu”.