Figura kryesore e opozitës ruse Aleksei Navalni është në gjendje të rëndë në një spital në Rusi pasi dyshohet se është helmuar.
Ai u ndje keq gjatë një fluturimi dhe avioni bëri një ulje urgjente në Omsk, tha zëdhënësja e tij Kira Jarmish, duke shtuar se ata dyshuan se diçka ishte përzier në çajin e tij.
Kremlini i uroi Navalnit një “shërim të shpejtë”. 44 vjeçari, njihet si një kritik i fortë i Presidentit Vladimir Putin.
Në qershor ai tha se votimi për reformat kushtetuese ishte një “grusht shteti” dhe “shkelje të kushtetutës”. Reformat lejojnë presidentin Putin të shërbejë edhe dy mandate të tjera.
“Këtë mëngjes Navalni po kthehej në Moskë nga Tomsk. Gjatë fluturimit, ai u ndje i sëmurë. Avioni bëri një ulje urgjente në Omsk. Alexei ka helmim toksik. Ne dyshojmë se Aleksi ishte helmuar nga diçka e përzier në çajin e tij. Ishte e vetmja gjë që ai piu që nga mëngjesi. Mjekët po thonë që agjenti toksik përthithet më shpejt përmes lëngut të nxehtë. Tani për tani Alexei është pa ndjenja.”, shkroi Kira Jarmish në Twitter.
Më vonë ajo tha se Navalni ishte në respirator dhe në gjendje kome, dhe se spitali tani ishte plot me oficerë policie. Ajo tha se ata më vonë kishin kërkuar të kontrollonin gjërat e tij.
Zëdhënësja e Navanit gjithashtu tha se mjekët fillimisht ishin të gatshëm për të shkëmbyer çdo informacion, por më vonë ata pretenduan se testet e toksikologjisë ishin vonuar dhe “ishin duke luajtur për më shumë kohë, dhe jo duke thënë ato që dinë”.
Ajo shkroi në Twitter përsëri se gjendja e Navalnit nuk kishte ndryshuar dhe ai ishte akoma pa vetëdije.
Gruaja e Aleksei Navalny, Julia dhe doktoresha e tij Anastasia Vasilieva, kishin mbërritur në spital, por iu mohua hyrja, tha Jarmish.
Agjensia e lajmeve Tass citoi një burim në Spitalin e Urgjencës Omsk të thoshte: “Alexei Navalni, i lindur në 1976. Në kujdes intensiv nga helmimi”.
Sidoqoftë, zv.drejtori i spitalit më vonë u tha mediave se nuk ishte e sigurt që Navalni të ishte helmuar, megjithëse “helmimi natyror” ishte një nga diagnozat që po konsiderohej.
Anatoli Kaliniçenko tha se mjekët “vërtet përpiqeshin të shpëtonin jetën e tij”.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov më vonë tha se i uron Navalnit një shërim të shpejtë dhe se autoritetet do të konsideronin miratimin e trajtimit jashtë vendit nëse kërkohej.
Në mediat sociale kanë qarkulluar pamjet që tregojnë se si Navalni është marrë me auto-ambulancë në pistën e aeroportit. Video të tjera shqetësuese duket se tregojnë Navalnin në dhimbje të forta gjatë fluturimit.
Pasagjeri Pavel Lebedev tha: “Në fillimin e fluturimit ai shkoi në tualet dhe nuk u kthye. Ai filloi të ndjehej me të vërtetë i sëmurë. Ata me vështirësi e shtrinë teksa ai po bërtiste nga dhimbjet.”
Një fotografi tjetër në mediat sociale tregon Navalnin duke pirë nga një filxhan në një kafene të aeroportit Tomsk. Agjensia Interfax tha që pronarët e kafeneve po kontrollonin kamerat për të parë nëse mund të sigurojë ndonjë provë.
Kush është Aleksei Navalni?
Ai u bë i njohur duke ekspozuar korrupsionin zyrtar, duke e etiketuar Rusinë e Bashkuar të Putinit si “partia e hajdutëve dhe mashtruesëve”, dhe ka bërë disa herë burg për këtë.
Në vitin 2011 ai u arrestua dhe u burgos për 15 ditë pas protestave për manipulimin e votave nga partia e Putin në zgjedhjet parlamentare.
Navalni u burgos në korrik 2013 për akuzat për përvetësim, por e cilësoi dënimin si politik.
Ai u përpoq të qëndronte në garën presidenciale 2018, por u ndalua për shkak të dënimeve të mëparshme për mashtrim, raste të cilat ai përsëri tha se ishin të motivuara politikisht.
Navalni gjithashtu vuajti 30-ditë burg në korrik 2019 pasi bëri thirrje për protesta të paautorizuara.
Ai u sëmur gjatë atij dënimi në burg. Mjekët e diagnostikuan atë me “dermatit kontakti” por ai tha se kurrë nuk kishte pasur ndonjë reaksion akut alergjik dhe mjeku i tij sugjeroi që ai mund të ishte ekspozuar ndaj “disa agjentëve toksikë”. Navalni gjithashtu tha se ai mendonte se mund të ishte helmuar.
Navalni gjithashtu pësoi një djegie të rëndë kimike në syrin e tij të djathtë në 2017 pasi u sulmua me bojë antiseptike.
Vitin e kaluar Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit u shpall zyrtarisht “agjent i huaj”, duke u dhënë mundësi autoriteteve që t’i nënshtroheshin më shumë kontrolleve.
Nëse helmimi i Navalnin konfirmohet, sulmet e mëparshme ndaj kritikëve të profilit të lartë të Presidentit Putin do të vinin përsëri në qendër të vëmendjes.
Ato përfshijnë politikanin Boris Nemtsov dhe gazetaren Ana Politkovskaja, të cilët u qëlluan për vdekje, dhe oficerin e inteligjencës Aleksandër Litvinenko, i cili vdiq nga helmimi në Mbretërinë e Bashkuar.
Një tjetër gazetar, Vladimir Kara-Murza, është akoma gjallë, por ka pretenduar se ai ishte helmuar dy herë nga shërbimet ruse të sigurisë.