Vijon stuhia “Ciaran” në Evropën Perëndimore/ Shënohen të paktën shtatë viktima

Shtatë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, për shkak të stuhisë “Ciara” që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe Francë.

Marketing

Erëra me shpejtësi më të lartë se 190 km/h u regjistruan në bregdetin atlantik të Francës, duke nxjerrë pemët me gjithë rrënjë dhe duke dëmtuar shtëpi.

Dy persona mbetën viktima dhe 16 të tjerë u lënduan në perëndim dhe veri të Francës. Sipas autoriteteve shtatë prej të lënduarve ishin punonjës emergjentë.

Rreth 1.2 milionë shtëpi mbetën pa energji elektrike në zona të ndryshme franceze. Kompania e shpërndarjes së energjisë njoftoi se do të dërgojë 3.000 punëtorë në terren për ta kthyer furnizimin me energji sapo kushtet ta mundësojnë një gjë të tillë.

Në Spanjë, ku stuhia e kaploi pothuajse të gjithë vendin me shira të mëdha dhe erëra të forta, humbi jetën një grua pasi u godit nga pema, ndërsa tre persona të tjerë u lënduan. Disa fluturime dhe udhëtime me tren u anuluan, ndërsa parqet në kryeqytetin Madrid e qytetet e tjera u mbyllën.

Dy persona ndërruan jetë si pasojë e rrëzimit të degëve të pemëve në Belgjikë, përfshirë një fëmijë 5-vjeçar, i cili ishte dërguar në spital por ndërroi jetë pas disa orësh.

Viktima tjetër u shënua në Gjermani, ku një grua e moshuar vdiq si pasojë e rrëzimit të një dege peme, ndërsa vajza e saj u lëndua rëndë.
Autoritetet lokale dhe qendrore kanë paralajmëruar banorët të mos rrinë afër hapësirave të gjelbra për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve.

Në Britani të Madhe mijëra persona mbetën pa energji elektrike, për shkak të erërave të forta, të cilat shkaktuan dëme të shumta.
Mediat në Holandë raportuan gjithashtu për një të vdekur dhe disa të lënduar nga rrëzimi i pemëve.