Njëra nga dy viktimat e familjes Manoilova që u gjetën të vdekur në apartamentin e tyre në Veles ka rezultuar pozitiv në testin e virusit CoVid-19. Burime të Alsat bëjnë të ditur se zonja 79 vjeçare ka vdekur si pasojë e virusit, ndërsa i biri saj i cili gjithashtu u gjet i vdekur ka rezultuar negativ në test. Fqinjët e pallatit ku ka jetuar familja Manoilova kanë denoncuar rastin si pasojë e erës që ka kundërmuar nga hapësirat e apartamentit. Sipas tyre, dy familjarët për herë të fundit janë parë para festave të fund-vitit. Nga Prokuroria Themelore e Velesit thonë se autopsia e viktimave ka mbaruar dhe se tani po pritet obduksioni toksikologjik. Fqinjët thonë se institucionet nuk kanë zhvilluar anketa epidemiologjike me banorët e pallatit. Rasti në fjalë ngre dyshimet nëse virusi CoVid-19 ka qenë aktiv nga muaji dhjetor, gjë për të cilën ishte diskutuar edhe në mbledhjen e atëhershme të Komisionit për sëmundje infektive.