Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), të drejtuar nga Igballe Rogova, me të cilin u bisedua mbi aktivitetet dhe sfidat me të cilat kjo organizatë po përballet për ta realizuar misionin e saj.
Siç njofton Kuvendi i Kosovës, Osmani e çmoi lart përkushtimin e Rrjetit të Grave për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë dhe trajtimin e viktimave të dhunës në familje.
Ajo nënvizoi se është e domosdoshme që institucionet të krijojnë mekanizma shtetërorë për mbrojtjen efikase të të drejtave dhe lirive të viktimave të dhunës në familje.
“Institucionet e reja të Kosovës do ta shtojnë kujdesin ndaj kategorive të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht ndaj viktimave të dhunës”, tha Osmani.
“Ajo u zotua se do ta përkrahë Rrjetin e Grave në synimin e kësaj organizate për përmirësimin dhe mbrojtjen e grave. Në mënyrë të veçantë, ajo e shtroi domosdoshmërinë që në buxhetin e vendit të sigurohet linjë e veçantë buxhetore për strehimoret për gratë të cilat i ekspozohën dhunës, si dhe që të kthehet pë diskutim Projektligji i Punës dhe Projektligji për Pushimin e Lehonisë dhe Pushimin Prindëror, si ligj tepër i rëndësishëm për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në shoqëri”, thuhet në njoftim.
Përfaqësueset e Rrejtit të Grave të Kosovës, pasi e falënderuan Osmani për pritjen, shprehën gatishmërinë e tyre që të punojnë ngushtë me institucionet e vendit për përmirësimin e mëtejmë të statusit të grave.
Ato u shprehën të bindura se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdes nga institucionet e reja dhe se, nëpërmjet përkrahjes që do t’ua japin atyre, Kosova do të dëshmojë shembull të kujdesit institucional ndaj viktimave të dhunës në familje.