Virusi korona/475 viktima brenda 24 orëve në Itali

Koronavirusi vijon të shkaktoj viktima në Itali. Kreu i Mbrojtjes Civile, Borrelli raporton se 475 persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e virusit, duke e çuar në rreth 3 mijë numri total të viktimave.

Marketing

Gjithashtu janë shënuar dhe mbi 2 600 raste të reja me koronavirus, ndërsa në total janë rreth 35 mijë të infektuar.

Emergjenca nga përhapja e shpejtë e koronavirusit ka vendosur në vështirësi shëndetësinë në Itali. Pandemia ka goditur kryesisht veriun, me rajonin e Lombardisë që rezulton më i prekuri.

“Për fat të keq rastet e reja me të infektuar nuk po reduktohen, përkundrazi vijonë të jenë tepër të larta. Shumë shpejt nuk do të jemi në gjendje të kurojmë të dashurit tanë”, kështu u shpreh presidenti i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana që ftoi banorët të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin daljet.

Autoritetet italiane i bëjnë apel të gjithë mjekëve dhe infermierëve që kanë dalë në pension gjatë dy viteve të fundit, si dhe atyre të punësuar në struktura private që të vendosen në dispozicion në këto ditë të vështira.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse deri të dielën nuk ulen shifrat e të infektuarve nga Covid-19, qeveria duhet që të ashpërsojë masat e sigurisë për të frenuar përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm. Ministri i sporteve, Vincenzo Spadafora, propozon që të ndalohen dhe aktivitetet fizike në ambjent të hapur, pasi nuk po respektohen distancat e sigurisë.