Temperatura po shënon 37 gradë. Me këtë kamerë termike skenohen pasagjerët që vijnë nga Stambolli dhe Dubai, e që kanë lidhje me rajonin e Kinës. Kjo si masë preventive ndaj virusit vdekjeprurës të quajtur koronavirus, i cili nisi në Vuhan të Kinës dhe arriti edhe në Evropë, përcjell TV21.
Nëse temperatura e ndokujt shënon mbi 38 gradë, intervenojnë ekipet mjekësore, e dërgojnë për analiza më të hollësishme në dhomën speciale në aeroport. Në qoftë se rezulton se pacienti ka koronavirus thiret ndihma e shpejtë dhe shtrohet në klinikë. Mirëpo temperature jo gjithnjë e përcakton virusin. Mjekët thonë se temperatura mund të ngritet edhe nga gripi, e ndonjëherë udhëtarët mund të kenë virusin por nuk transmetojnë temperaturë të lartë. Ministri i Shëndetësisë tha se në vendin tonë nuk ka raste të shënuara dhe nuk ka rrezik që koronavirusi të përhapet, pasiqë siç u shpreh janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura sipas OBSH. Ky virus çdo ditë e më shumë po përhapet, dhe po i afrohet Maqedonisë. Në Evropë pas tre rasteve në Francë edhe Gjermania ka njoftuar një rast të infektuar me koronavirus.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në Kinë arriti në 106, ndërkohë që numri i rasteve të infektuara pothuajse u dyfishua brenda ditës. Autoritetet kineze njoftojnë se numri total i njerëzve të prekur me këtë virus është 4,515.
Mbi 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë në Kinë, por deri më tani raportohet se asnjë nuk është i prekur. Koronavirusi, që është një familje e gjerë e viruseve, shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe tash për tash nuk ka kurë ose vaksinë specifike për të./TV21