Virusi korona/Rezultatet e pacientëve dolën negativ, do të kontrollohen sasitë dhe çmimet e maskave nëpër barnatore

Testi i gruas e cila sot është paraqitur me simptoma të virusit në Klinikën Infektive është negativ, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Ajo para 3 ditëve është kthyer nga rajoni kritik në Italinë veriore, kurse ka udhëtuar me transport privat bashkë me një anëtar tjetër të familjes së saj. Negativ është edhe rezultati i dy personave që dje ikën nga Spitali i Shtipit, si dhe i vozitësit të furgonit që transportonte pasagjerë nga Italia, mes të cilëve ishte edhe gruaja e prekur me koronavirus. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se gjendja e saj është e mirë dhe se tashmë dy ditë nuk ka temperaturë.

Marketing

“Negativ është edhe testi i pacientit i cili me simptoma është paraqitur përmes Shtëpisë së Shëndetit në Vinicë, në Repartin Infektiv të Spitalit të Shtipit. Të gjithë lexuam për incidentin se ka ikur dhe se ka shkuar në shtëpi. Është mirë që nuk ka pasur kontakt me askënd”, theksoi Filipçe.

Filipçe edhe një herë i përsëriti thirrjet për larje dhe dezinfektim të shpeshtë të duarve. Inspektorët janë në terren, për t’i vërtetuar pohimet se ka rritje të çmimit të maskave, shton ai.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Agjencia për barna ‘Malmed’ do të t’i kontrollojnë sasitë e rezervave dhe çmimet. Le ta kryejnë punën e tyre sot dhe nesër, e pastaj do ta shohim gjendjen reale, mbi bazë të së cilës do të marrim vendim”, potencoi Filipçe.

Filipçe thotë se është në kontakt me konsullin e Maqedonisë në Itali, prej të cilit ka mësuar se nuk ka shtetas tanë të prekur ose në karantinë. Apeloi që të gjithë t’u përmbahen rekomandimeve dhe të mos organizohen tubime publike.

Por, edhe përkundër kësaj thirrjeje, Agjencia për Rini dhe Sport sot e organizoi ngjarjen sportive “Luaj fer”. Klubi i Hendbollit “Vardar” ndeshjen e nesërme kundër Monpeljesë do ta luajë para publikut, njoftoi menaxhmenti i klubit. Rekomandimet i respektojnë vetëm teatrot të cilët i anuluan shfaqjet deri më 6 mars.

Marketing