Sot, më 10 gusht 2021, ushtruesi i detyrës zëvendësambasador i Francës në Maqedoninë e Veriut, Stanislas Mrozek, i shoqëruar nga përkthyesi i ambasadës në gjuhën shqipe dhe përgjegjësi i protokollit, Ardian Ramadani, si dhe stazhieri pranë kësaj ambasade, Emilien Kientz, vizituan për herë të parë hapësirat e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së, me ç’rast u takuan me drejtorin e agjencisë, Ylber Selën.
Takimi, i cili u zhvillua në frymë tejet miqësore, ishte një mundësi e mirë për të këmbyer mendime dhe përvoja rreth pistave të mundshme të bashkëpunimit mes Ambasadës së Francës në RMV, Institutit Francez në Shkup dhe Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së.
Drejtori Sela, pasi prezantoi në hollësi agjencinë që drejton, shtjelloi edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky institucion, si dhe sukseset, rezultatet dhe përparimin e arritur deri më tani, agjenci kjo e cila shërben si kujdestare për mënjanimin e gabimeve në gjuhën shqipe, si dhe gjuhët e tjera.
Ai përmendi edhe trajnimet e realizuara të përkthyesve dhe të lektorëve, duke e dalluar agjencinë si një institucion lider dhe shëmbëlltyrë. Sela vuri në pah bashkëpunimin e kësaj agjencie me institucionet e tjera në këtë vend, duke uruar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë.
Bashkëbiseduesit mes tjerash folën edhe rreth mundësive për realizimin e vizitave në qendra të njohura gjuhësore në Europë dhe në Francë, si dhe rreth mundësive për vizitë të ekspertëve gjuhësorë nga Franca në këtë agjenci, me qëllim të sjelljes së përvojës dhe ekspertizës së tyre dhe shkëmbimit të ndërsjellë.
Ata u dakorduan edhe për mundësinë e nisjes së projektit të bashkëpunimit në fushën e përkthimit, të gjuhëtarëve të shquar francezë, në gjuhën shqipe, si dhe në atë maqedonase.
Zëvendësambasadori Mrozek e siguroi drejtorin Sela se bashkëpunimi mes ambasadës dhe agjencisë do të thellohet më tutje, duke premtuar përkrahje konkrete dhe të vazhdueshme të veprimtarisë së kësaj agjencie në fushën e përkthimit dhe të interpretimit.