Vizitë zyrtare e Bilall Kasamit në Austri – Takim miqësor dhe i frytshëm me Kryetarin e Komunës së Hornit

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Austrisë, ku zhvilloi një takim miqësor dhe shumë të frytshëm me kryetarin e Komunës së Hornit, Gerhard Lentschig.

Marketing

Gjatë takimit, të dy kryetarët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Tetovës dhe asaj të Hornit, me theks të veçantë në shkëmbimin e ideve dhe nismave të përbashkëta. U theksua rëndësia e përgatitjes dhe realizimit të projekteve që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dy komunat.

Kryetarët Kasami dhe Lentschig shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si zhvillimi ekonomik, arsimi, kultura, dhe menaxhimi i qëndrueshëm urban.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve konkrete që synojnë përfitime të ndërsjella dhe një zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët.

Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi në funksion të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të saj.