​Vjen reagimi nga Napoli pas videos ku u tall me Osimhen

Gjatë ditëve të fundit skuadra e Napolit nuk ka qenë e qetë me mediat, pas skandalit me sulmuesin Victor Osimhen.

Marketing

Napoli kishte postuar një video në “TikTok” duke u tallur me Osimhen, pasi ky i fundit humbi penalltinë në ndeshjen ndaj Bolognas, raporton KosovaPress.

Por, kjo video e postuar në faqen zyrtare ishte fshirë menjëherë nga Napoli, ndërsa nuk mungoi reagimi edhe nga ana e Osimhen.

Agjenti i yllit nigerian paralajmëroi se lojtari po e konsideron që ta padisë klubin e tij. Më pas nuk munguan as spekulimet të cilat filluar ta lidhnin Osimhen me një largim nga Napoli qysh në merkaton e janarit.

Ndërkaq, pas këtij incidenti më në fund vjen reagimi edhe nga vetë Napoli.

“Calcio Napoli, duke dashur të shmangë çdo shfrytëzim të çështjes, thekson se asnjëherë nuk kemi dashur të ofendojmë apo tallemi me Victor Osimhen, i cili është një thesar i këtij klubi.

Si dëshmi e kësaj, gjatë stërvitjes së verës, klubi refuzoi me vendosmëri çdo ofertë që ishte marrë për transferimin e sulmuesit jashtë vendit.

Mediat sociale, në veçanti ‘TikTok’, kanë përdorur gjithmonë një formë shprehëse të gjuhës me zemër të lehtë dhe kreativitet, pa dashur që, si në rastin me Osimhen si protagonist, të kenë ndonjë qëllim fyerjeje apo talljeje.

Në çdo rast, nëse Victor perceptonte ndonjë ofendim ndaj tij, kjo nuk ishte ajo që synonte klubi”, shkruante në komunikatën e Napolit.