Vladimir Putin kërcënon sërish: Do të vendosim raketa me rreze të mesme në Bjellorusi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se mund të vendosë raketa të reja hipersonike me rreze të mesme veprimi, të njohura si Oreshnik, në territorin e Bjellorusisë.

Marketing

Putin iu përgjigjur një kërkese të presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, në një samit në Minsk, ku dy liderët nënshkruan një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjelltë.

“Meqë sot ne nënshkruam një marrëveshje për garanci të sigurisë duke përdorur të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion, mendoj se vendosja e sistemeve si Oreshnik në territorin e Republikës së Bjellorusisë është punë që bëhet”, tha Putin.

Ai theksoi se kjo do të ndodh gjatë vitit 2025.

“Mendoj se kjo do të bëhet e mundur në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, derisa rritet prodhimi i këtyre sistemeve në Rusi, dhe derisa këto sisteme raketash fillojnë të përdoren nga forcat strategjike ruse”, theksoi presidenti rus.

Rusia lëshoi raketën Oreshnik për herë të parë mbi qytetin ukrainas Dnipro, më 21 nëntor.

Putini tha asokohe se ajo ishte përgjigje ndaj përdorimit të raketave balistike amerikane, ATACMS, dhe raketave britanike, Storm Shadoë, nga Ukraina, për ta goditur territorin rus me lejen e Perëndimit.

Kreu i Kremlinit ka thënë se Rusia mund ta përdorë përsëri raketën Oreshnik, madje duke goditur edhe “qendrat e vendimmarrjes” në Kiev, nëse Ukraina vazhdon ta sulmojë me armë perëndimore me rreze të gjatë.

Marketing